Shqipëri
Shqipëria me rritjen më të madhe të turistëve gjermanë

Të dhënat e reja tregojnë se dëshira e qytetarëve gjermanë për të udhëtuar mbetet e pandryshuar, pavarësisht krizës. Por më shpesh merren parasysh çmimet, ndaj përfitojnë vendet si Tunizia, Bullgaria dhe Shqipëria.
Pasioni i gjermanëve për udhëtimet nuk është ulur as në kohët më të vështira ekonomike. “Pavarësisht të gjitha sfidave ekonomike dhe gjeopolitike – gjermanët po udhëtojnë! Pushimet duket se janë gjëja e fundit për të cilën ata janë të gatshëm të kursejnë,” thotë presidenti i Shoqatës Gjermane të Agjencive të Udhëtimit (DRV), Norbert Fiebig.
Të ardhurat totale nga sezoni veror, i cili zgjat nga maji deri në tetor 2024, është rritur me 12 për qind në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të DRV. Numri i pasagjerëve u rrit me gjashtë për qind. Për të gjithë vitin turistik, nga nëntori 2024 deri në tetor 2025, DRV parashikon rritje të të ardhurave prej 11 për qind dhe katër për qind më shumë pasagjerë.
Përveç kësaj, qytetarët gjermanë po prenotojnë pushimet e tyre verore më herët. “Rezervimi i hershëm është i preferuar,” thekson Fiebig për trendin në ndryshim.
Gjermanët po shpenzojnë më shumë se kurrë më parë për udhëtime
Gjermanët kanë shpenzuar tashmë shuma rekord për udhëtime vitin e kaluar, sipas analizave të institutit YouGov DRV. 83.4 miliardë euro janë shpenzuar për udhëtime të rezervuara paraprakisht, që është 5.6 për qind më shumë se një vit më parë.
Rritjen më të madhe këtë verë e shënojnë paketat për vendet e Mesdheut Lindor dhe udhëtimet në distanca të gjata. Sipas të dhënave të DRV, numri i rezervimeve të paketave për pushime është rritur me gjashtë për qind. Ndërsa destinacioni më i preferuar është Turqia, me të ardhura rreth 1.2 miliardë euro.
Përveç vendeve klasike të pushimeve si Spanja (gjithashtu rreth 1.2 miliardë euro të ardhura) dhe Greqia (1 miliard euro), në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu destinacione më të përballueshme si Tunizia, Bullgaria dhe Egjipti.
“Në kohë sfiduese ekonomike, paratë nuk shpenzohen aq lehtë – dhe kjo reflektohet në zgjedhjen e destinacioneve të udhëtimit”, tha Fiebig.
Rekomandimet e “Insajderit” janë gjithnjë e më të rëndësishme
Sipas DRV, një nga destinacionet më të preferuara të mundshme të këtij viti është Shqipëria, që ishte edhe vend partner i panairit ITB, në Berlin. Shqipëria ka shënuar normën më të lartë të rritjes për verën, prej 36 për qind. Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut, të ardhurat totale nga turizmi me këtë vend mbeten relativisht të ulëta.
Të dhënat bazohen në të ardhurat e agjencive tradicionale të udhëtimit dhe platformave të operatorëve turistikë online. Janë marrë parasysh të gjitha rezervimet deri në fund të janarit 2025, ndërsa nuk janë përfshirë rezervimet përmes call center, Booking dhe Airbnb.
Trendi i qëndrueshmërisë, në të cilin vendet turistike, përfshirë Kroacinë, kanë investuar shumë energji në vitet e fundit, duket se nuk luan ndonjë rol. “Vetëm një e pesta e turistëve janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një udhëtim bazuar në parimin e qëndrueshmërisë”, sipas një studimi nga Klubi gjerman i automobilave ADAC, i publikuar në fillim të ITB. /DW
E-Diaspora
-
Nga Hitachi Vantara te Sonio AG: Arritjet e Leutrim Hajdarit në arkitekturën cloud Për Leutrimin, teknologjia nuk është thjesht një mjet, por një forcë lëvizëse që ndryshon mënyrën se...
-
Diaspora në Kuvendin e Kosovës, Hysen Ҫekaj e Nezir Kraki sigurojnë mandatet
-
Ka filluar regjistrimi i nxënësve për mësim në gjuhën shqipe, në shkollat publike austriake
-
Vjenë: Hapet regjistrimi për mësimin e gjuhës shqipe
-
Sonte mbahet debati i hapur me kandidatët shqiptarë në Gjenevë
Jeta në Austri
-
Zgjedhjet në Vjenë: Mbi 35% e banorëve të përjashtuar nga votimi Ky raport tregon një rënie të vazhdueshme të përqindjes së votuesve të cilëve u është dhënë...
-
Ka filluar regjistrimi i nxënësve për mësim në gjuhën shqipe, në shkollat publike austriake
-
Dimri rikthehet surprizë në Austri pas ditëve të pranverës
-
Vjenë: Sonte promovohet libri ‘Masakrat në Kosovë 1998 – 1999’
-
Anketa: Austriakët dhe gjermanët ende preferojnë paratë e gatshme