Lajme

Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto

Nga 1 janari 2027, kufijtë e kategorive të tatimit mbi të ardhurat do të rriten me 2.27 për qind.

Punëtorët në Austri pritet të kenë pak më shumë të ardhura neto nga janari 2027, si pasojë e rritjes së kufijve të kategorive të tatimit mbi të ardhurat, përcjell albinfo.at.

Pragu vjetor pa tatim do të rritet nga 13,539 në 13,846 euro. Edhe kufijtë e kategorive të tjera tatimore do të përshtaten me 2.27 për qind.

Ndryshimi synon të zbusë të ashtuquajturin “progresion të ftohtë”, kur rritja nominale e pagës mund të çojë në pagesë më të lartë tatimore, pa rritje të njëjtë të fuqisë blerëse.

Me kufijtë e rinj, një pjesë më e madhe e të ardhurave mund të tatohet me norma më të ulëta ose të mbetet pa tatim. Për këtë arsye, shumë punëtorë mund të përfitojnë një rritje të lehtë të pagës neto, edhe nëse paga bruto mbetet e njëjtë.

Shuma konkrete e përfitimit do të varet nga paga, të ardhurat vjetore dhe rrethanat individuale të secilit punëtor./Albinfo.at