Futboll

Yakin flet për situatën e Xhakës: A do të ftohet sërish në kombëtare?

Trajneri i Zvicrës thotë se Granit Xhaka e ka pranuar gabimin dhe shpreson që situata të zgjidhet deri në grumbullimin e radhës.

Trajneri i kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka folur për herë të parë për situatën e Granit Xhakës, i cili aktualisht është jashtë ekipit për ndeshjet e Ligës së Kombeve pas pranimit se kishte falsifikuar certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19, transmeton albinfo.ch.

Xhaka nuk është përfshirë në skuadrën e Zvicrës për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve që zhvillohen gjatë këtyre dy javëve. Ndërkohë, rasti është duke u hetuar nga Prokuroria e Luzernit.

Në një intervistë për “Blick”, Yakin tha se Xhaka e ka kuptuar se ka bërë një gabim dhe se ka marrë përgjegjësi publikisht për veprimin e tij.

“Atij i vjen keq dhe publikisht e ka marrë përgjegjësinë për atë që ka bërë”, ka deklaruar Yakin.

Trajneri zviceran bëri të ditur se Xhaka kishte rënë dakord të mos përfshihej në ekip, me qëllim që të mbronte skuadrën dhe që fokusi të mbetej te ndeshjet e Ligës së Kombeve, e jo te debati rreth rastit të tij.

Yakin u shpreh optimist se situata do të zgjidhet dhe la të hapur mundësinë që kapiteni i Zvicrës të rikthehet në grumbullimin e ardhshëm.

“Jam i bindur se do të gjejmë një zgjidhje të mirë për të gjithë. Unë dhe Graniti jemi gjithmonë në kontakt. Ai është shumë i matur, i kthjellët dhe mendon e vepron në interesin më të mirë të ekipit. E vlerësoj shumë këtë”, u shpreh Yakin.

Vendimi për rikthimin e Xhakës në kombëtare do të varet edhe nga zhvillimet rreth hetimit të rastit. /Albinfo.ch