Kosova

Një përjetim ndryshe në Pejën turistike

“Wander Adventures” është një nga turoperatorët më aktivë në vend, të fokusuar tek mënyrat e reja për zhvillimin e ekonomisë lokale nëpërmjet aktiviteteve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ndaj natyrës

Njihuni me “Wander Adventures”, një turoperator në Kosovë, i cili gjatë gjithë vitit ofron përvoja dhe aktivitete në natyrë. Pakot turistike të kësaj kompanie janë të larmishme dhe përplot adrenalinë. Ato ofrojnë që nga ecjet nëpër Bjeshkët e Nemuna, shëtitjet ditore nëpër Kosovë me makina 4×4 për të përjetuar natyrën e egër, e deri te turet dimërore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nëpër qendrat e skijimit apo aventura pranë rivierës shqiptare.

Wander Adventures” është bërë pjesë e tregut në Kosovë që nga viti 2017. Një grup i entuziastëve të aktiviteteve në natyrë, të gjithë nga Peja, u organizuan fillimisht për të ofruar përvoja turistike për grupe të turistëve ndërkombëtarë dhe përkrahje logjistike për organizata të shoqërisë civile në vend.

Wander Adventures

Guida profesionale

Që nga ajo koha, ata janë shndërruar në një nga turoperatorët më aktivë në vend, të fokusuar te mënyrat e reja për zhvillimin e ekonomisë lokale nëpërmjet aktiviteteve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ndaj natyrës.

Përveç tureve të organizuara, “Wander Adventures” e ka zgjeruar aktivitetin e vet me pikën ku shesin dhe japin me qira pajisje për aktivitete dimërore, një ndër to ski-touring (ecje nëpër dëborë) që e ofrojnë dhe vetë, si dhe organizojnë kurse për paragllajdizëm dhe skijim në Pejë.

Të gjitha turet dhe aktivitetet udhëhiqen nga guida profesionale dhe të certifikuara. “Për shkak të natyrës së aktiviteteve tona, ne jemi të rreptë sa i përket marrjes së masave të sigurisë dhe intervenimeve të nevojshme”, tregon Bardhosh Morina nga Wander Adventures.

Wander Adventures

“Majat e Ballkanit”, në kombinim me Sharrin

“Një nga itineraret më të pëlqyera që ofrojmë është ski-touring në natyrë të egër, ku shpalosim potencialin më të mirë të rajonit tonë, malet e larta me pllaja të hapura, kushtet e përkryera të dëborës dhe bujtinat me arkitekturë tradicionale”, tregon Bardhoshi. “Kjo përvojë e aventurës përfshin itinerarin “Majat e Ballkanit” dhe shtegun ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ku kombinojmë Malet e Sharrit në pjesën jugore të Kosovës”.

Sipas Bardhoshit, turistëve u pëlqejnë shumë veçantitë e maleve tona si dhe kultura e vendit.

“Wander Adventures” ka bashkëpunuar edhe me Komunën e Pejës dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, nëpërmjet projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, kompania u angazhua në rritjen e kapaciteteve akomoduese në Pejë dhe ofrimit të kampingut. Kështu, në kuadër të bashkëpunimit, ata ndërtuan një hostel me kapacitet prej 37 shtretërish nëpër 16 tenda kampingu.

“Ky është një produkt i ri komercial turistik që e ofrojmë për vizitorët vendorë, nga diaspora dhe për turistët ndërkombëtarë”, tregon Bardhoshi. Krahas me këtë produkt, kompania është angazhuar intensivisht edhe me promovimin e tij dhe të rajonit duke shfrytëzuar mjetet online.

Wander Adventures
Wander Adventures
Wander Adventures
Wander Adventures

 

Aktivitetet që mund t’i përjetoni me “Wander Adventures”:

-ecje në natyrë

-skijim dhe kurse për skijim

-biçiklizëm malor

-ture me makina 4×4

-ngjitje në male

-paragllajdizëm dhe kurs për këtë aktivitet

-cat skiing (skijim në vende të paprekura ku arrihet me automjet të posaçëm).