Cyrihu është ndër qytetet ku vozitja konsiderohet më stresuese, sipas një analize të re ndërkombëtare që ka krahasuar 79 qytete në Evropë, SHBA dhe Australi, përcjell albinfo.ch.
Studimi, i realizuar nga portali australian “Compare the Market”, ka marrë parasysh disa faktorë, përfshirë trafikun, shpejtësinë mesatare të vozitjes, kohën e udhëtimit për në punë, vështirësinë dhe koston e parkimit, joefikasitetin e trafikut dhe kushtet e pafavorshme të motit.
Cyrihu është renditur në vendin e shtatë, pas Sydneyt dhe para Miamit. Në qytetin zviceran, analiza ka vlerësuar veçanërisht edhe situatën e parkimit, e cila ka marrë një indeks vështirësie prej 43.46 pikësh nga 100.
Në krye të listës është Dublini, i ndjekur nga Los Angeles, Londra, New Yorku, San Francisco dhe Sydney. Pas Cyrihut renditen Miami, Chicago dhe Brukseli.
Për krijimin e renditjes janë përdorur të dhëna nga burime si TomTom Traffic Index, Numbeo, Parkopedia dhe Open-Meteo. Faktorët e ndryshëm janë përllogaritur në një indeks të përbashkët të quajtur “Driver Stress Score”. /Albinfo.ch