Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, Greenpeace, ka dorëzuar pranë dy zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në Zvicër, Coop dhe Migros, një peticion të mbështetur nga 27.170 nënshkrime. Përmes tij kërkohet që në raftet e këtyre marketeve të ketë më shumë produkte proteinike me bazë bimore.
Sipas një deklarate të Greenpeace, aktualisht rreth 90 për qind e produkteve me përmbajtje proteinash në ofertën e Coop dhe Migros janë me origjinë shtazore. E njëjta përqindje, sipas organizatës, vlen edhe për produktet që promovohen përmes ofertave dhe fushatave të marketingut.
Për këtë arsye, Greenpeace kërkon që deri në vitin 2035 përqindja e produkteve proteinike me origjinë shtazore të ulet në 40 për qind, ndërsa 60 për qind e ofertës të përbëhet nga produkte me proteina bimore.
Sipas organizatës, një ndryshim i tillë do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi ushqimor më të qëndrueshëm dhe më miqësor ndaj mjedisit.
Për të promovuar fushatën, rreth 20 aktivistë vendosën qese letre me sloganet “Give peas a chance” dhe “Peas & love” pranë arkave të rreth 40 dyqaneve të Coop dhe Migros në Lozanë, Cyrih, Aarau dhe St. Gallen.
Nisma e Greenpeace lidhet me përpjekjet për të reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe ndikimin mjedisor të bujqësisë, përmes uljes së varësisë nga prodhimi dhe konsumi i produkteve me origjinë shtazore.