Këshilli Federal i Zvicrës ka nisur reformën e re të sigurimit invalidor, e cila synon të lehtësojë integrimin dhe riintegrimin e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës, me fokus të veçantë te të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç.
Reforma vjen pas rritjes së numrit të përfituesve të pensioneve invalidore, veçanërisht për shkak të shtimit të problemeve të shëndetit mendor. Për këtë kategori parashihet mbështetje e veçantë financiare dhe profesionale, si dhe ndihmë për familjet e tyre.
Një tjetër synim i reformës është stabilizimi financiar i sigurimit invalidor. Deficiti i këtij sistemi në vitin 2025 tejkaloi 200 milionë franga, ndërsa deri në vitin 2030 mund të arrijë në 600 milionë franga.
Për këtë arsye, Këshilli Federal propozon rritjen e kontributeve me 0.2 pikë përqindjeje, ndryshimin e kritereve për pensionin e plotë invalidor, duke e ngritur pragun e invaliditetit nga 70 në 80 për qind, si dhe kontribute shtesë për të ardhurat vjetore mbi 181 mijë e 440 franga.
Sipas vlerësimeve, masat e propozuara synojnë të sigurojnë qindra miliona franga të hyra shtesë dhe të garantojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit.
Konsultimi publik për reformën do të zgjasë deri më 4 shkurt 2027.