Skip to content

Nuk dinte vargun e parë të himnit zviceran, por Gjykata Federale ia dha të drejtë: Mësuesja gjermane fiton pasaportën zvicerane

Komuna ia kishte refuzuar shtetësinë për shkak të rezultateve në testin e natyralizimit, por gjykata vlerësoi se gruaja ishte mjaftueshëm e integruar në shoqërinë zvicerane.

Një mësuese 49-vjeçare nga Gjermania, e cila jeton prej nëntë vitesh në komunën Freienbach, në kantonin Schwyz të Zvicrës, do të pajiset me shtetësi zvicerane, pasi Gjykata Federale rrëzoi vendimin e komunës për refuzimin e kërkesës së saj për natyralizim.

Rasti daton nga viti 2025, kur gruaja aplikoi për shtetësi zvicerane. Megjithatë, ndryshe nga bashkëshorti dhe fëmijët e saj, të cilët e kishin kaluar me sukses procesin, kërkesa e saj u refuzua për shkak të rezultateve në testin e njohurive për Zvicrën.

Edhe pse ajo iu përgjigj saktë më shumë se gjysmës së pyetjeve, rezultatet nuk u konsideruan të mjaftueshme. Ndër të tjera, mësuesja nuk arriti të kujtonte vargun e parë të himnit kombëtar zviceran.

Ajo e kundërshtoi vendimin në gjykatën administrative, e cila vlerësoi se mungesat në njohuritë e përgjithshme kompensoheshin nga integrimi i saj i mirë në shoqëri. Për këtë arsye, gjykata vendosi në favor të saj.

Pyetja për “kopshtin e famullitarit” që vuri në vështirësi kandidaten

Njëra prej pyetjeve të testit kishte të bënte me vendndodhjen e saktë të një zone të njohur si “Pfarrersgärtli” (Kopshti i Famullitarit).

Sipas raportimit të gazetës zvicerane “Luzerner Zeitung”, edhe vetë komuna pranoi se bëhej fjalë për një pyetje të vështirë. Gjykata administrative vlerësoi se këtë vendndodhje mund të mos e dinte as një banor mesatar i Freienbachut.

Emërtimi lidhet me një ngjarje të pazakontë në një pjesë të rrugës në Pfäffikon, ku ishin kryer ndryshime në infrastrukturë. Një famullitar, i cili po udhëtonte për në një varrim, nuk i kishte vërejtur ndryshimet, kishte ngecur në baltë dhe ishte dashur të nxirrej me traktor. Që nga ajo kohë, vendi njihet me emrin “Pfarrersgärtli”.

Komuna e çoi çështjen deri në Gjykatën Federale, duke kundërshtuar vendimin e gjykatës administrative. Megjithatë, gjykata më e lartë e Zvicrës vendosi në favor të mësueses, duke i hapur rrugën marrjes së shtetësisë zvicerane, njësoj si pjesa tjetër e familjes së saj.

Kositja e barit gjatë festave i kushtoi një francezi shtetësinë

Rasti i mësueses gjermane nuk është i vetmi kur vendimet për natyralizim në Zvicër kanë shkaktuar polemika.

Në vitin 2024, një shtetas francez, atëkohë 50-vjeçar, nuk arriti të fitonte shtetësinë zvicerane në komunën Clos du Doubs, në kantonin Jura.

Disa anëtarë të kuvendit komunal kundërshtuan natyralizimin e tij. Njëri prej tyre pretendonte se francezi pothuajse nuk qëndronte në komunë dhe shihej shumë rrallë.

Një tjetër banor e akuzoi atë për cenim të qetësisë publike, pasi kosiste barin, pastronte shkurret dhe kryente punë të tjera gjatë ditëve të festave zyrtare. Megjithatë, kryetari i komunës, Jean-Paul Lachat, deklaroi se në administratën komunale nuk ishte paraqitur asnjë ankesë e tillë.

Edhe një shtetas tjetër francez ishte refuzuar një vit më parë për shkak të një shkeljeje të trafikut. Ai ishte kapur duke kaluar pranë një kantieri ndërtimi me shpejtësi prej 80 kilometrash në orë, ndonëse kufizimi ishte 40 kilometra në orë.

Pavarësisht se kishte jetuar në Zvicër për 40 vjet, autoritetet e kishin vlerësuar si person të paintegruar me sukses në shoqërinë zvicerane.

Këto raste kanë rikthyer në vëmendje debatet mbi kriteret e natyralizimit në Zvicër dhe mënyrën se si autoritetet lokale e vlerësojnë integrimin e të huajve që kërkojnë shtetësinë.