Skip to content

Çmimi i naftës bie nën 100 dollarë për fuçi, hera e parë që nga fillimi i tetorit

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie të konsiderueshme të mërkurën, duke shënuar nivelin më të ulët në gati një muaj. Nafta bruto Brent ka zbritur nën 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga 7 tetori.

Sipas raportimeve të NBC News, çmimi i Brent-it ka rënë për afro 9 dollarë për fuçi, apo mbi 8 për qind. Në të njëjtën kohë, edhe nafta amerikane WTI ka shënuar rënie prej rreth 8 për qind, duke arritur në afërsisht 89 dollarë për fuçi.

Kjo ulje mund të jetë lajm i mirë për konsumatorët, pasi pritet të ndikojë edhe në çmimet e derivateve në pompa gjatë ditëve të ardhshme. Analisti i kompanisë GasBuddy, Patrick De Haan, vlerëson se çmimi mesatar i benzinës në SHBA mund të zbresë nën 4 dollarë.

Lëvizjet në tregun e naftës po ndodhin në një periudhë kur vëmendja është përqendruar te zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i mundshëm i rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit në qëndrimin e presidentit Donald Trump ndaj konfliktit me Iranin.

Përshkallëzimi i luftës kishte ndikuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të benzinës dhe naftës, duke shtuar presionin mbi inflacionin dhe shpenzimet e qytetarëve, fermerëve dhe bizneseve amerikane.

Rënia e fundit është veçanërisht e dukshme krahasuar me ditët paraprake. Të premten, çmimi i naftës kishte arritur deri në 118 dollarë për fuçi, ndërsa deri të mërkurën në mesditë kishte zbritur në rreth 98 dollarë.

Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, nafta vazhdon të jetë rreth 65 për qind më e shtrenjtë sesa në fillim të vitit.