Kosova

Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë të përbashkët për ish-krerët e UÇK-së: “Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë”

Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të përbashkët pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklarata ka marrë mbështetjen e grupeve parlamentare dhe është lexuar në seancë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh “indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë” me aktgjykimin, të cilin e konsideron “thellësisht të padrejtë” ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Sipas qëndrimit të shprehur në dokument, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli”, thuhet në deklaratë. Kuvendi argumenton se vendimi gjyqësor nuk mund të zhbëjë atë që ai e përshkruan si karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës dhe as të barazojë agresorin me viktimën. Në deklaratë theksohet gjithashtu roli i UÇK-së në rezistencën e popullit të Kosovës dhe në procesin që çoi drejt çlirimit dhe pavarësisë.

Kuvendi ka shprehur shqetësim edhe për atë që e cilëson si standarde të dyfishta në trajtimin e së kaluarës së rajonit. Në këtë kontekst përmenden nderimet publike për persona të dënuar për krime lufte dhe glorifikimi i figurave të lidhura me krimet e luftës, duke përmendur edhe Ratko Mladiqin. Sipas deklaratës, veprime të tilla cenojnë kujtesën e viktimave dhe pengojnë procesin e pajtimit.

Në deklaratë kundërshtohet gjithashtu çdo përpjekje e Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht procesin gjyqësor në Hagë dhe për ta përdorur atë për të delegjitimuar luftën e UÇK-së. Kuvendi shpreh solidaritet me Kosovën dhe me katër ish-drejtuesit e UÇK-së, ndërsa deklaron bindjen e tij në pafajësinë e tyre.

Një pjesë e deklaratës i kushtohet edhe hapave të mëtejshëm juridikë. Kuvendi thekson se procesi nuk ka përfunduar dhe pret që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit. Në këtë kuadër, kërkohet respektimi i standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Kuvendi është zotuar gjithashtu që në forumet ndërkombëtare të ngrejë çështjen e krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në Kosovë, përfshirë krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës, si dhe të kërkojë drejtësi për viktimat.

Në fund, Kuvendi u ka bërë thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që të koordinojnë veprimet institucionale lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit, ndërsa është shprehur edhe për koordinim mes dy kuvendeve.

Kuvendi i Shqipërisë