Në Prishtinë është organizuar festa tradicionale “Darka e Lamës”, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila vuri në pah rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite shqiptare dhe vlerave që ajo përfaqëson.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Shiroka Pula theksoi se Darka e Lamës është një traditë që lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun.
Ajo rikujtoi se në traditën shqiptare, përfundimi i të korrave dhe mbledhja e bereqetit shënonin një moment të veçantë, kur familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze të përbashkët për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës.
Sipas Presidentes, kjo festë nuk simbolizon vetëm të mirat që sjell toka, por edhe solidaritetin ndërmjet njerëzve, mikpritjen dhe respektin për njëri-tjetrin.
Ajo theksoi se në traditën shqiptare shtëpia e të zotit është edhe shtëpia e mikut, ndërsa ndarja e bukës me të tjerët përfaqëson respektin dhe besimin ndaj njerëzve.
Gjatë fjalimit, Presidentja Shiroka Pula kujtoi se në vitin 2002, ish-presidenti Ibrahim Rugova e ngriti Darkën e Lamës në nivel institucional, duke e shndërruar atë në një festë simbol të falënderimit për tokën e Kosovës dhe njerëzit e saj.
Në përfundim, ajo bëri thirrje që kjo traditë të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj, duke theksuar se vlerat e mirënjohjes, solidaritetit, mikpritjes dhe respektit për punën duhet të mbeten pjesë e rëndësishme e shoqërisë.