Skip to content

Shtesat për fëmijë pritet të rriten me 25% nga janari 2027

Qeveria e Kosovës ka prezantuar një plan katërvjeçar që synon dyfishimin e shtesave për fëmijë deri në vitin 2030.

Shtesat për fëmijë në Kosovë pritet të rriten me 25 për qind duke filluar nga 1 janari 2027, në kuadër të politikave të Qeverisë për mbështetjen financiare të familjeve, përcjell albinfo.ch.

Rritja e paralajmëruar është pjesë e një plani katërvjeçar, përmes të cilit synohet dyfishimi i shtesave për fëmijë deri në vitin 2030.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar më herët se gjatë mandatit të ri qeverisës shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht, në përputhje me mundësitë buxhetore.

Sipas zotimit të Qeverisë, shtesat aktuale prej 30 eurosh në muaj për fëmijë synohet të arrijnë në 60 euro, ndërsa për familjet me tre ose më shumë fëmijë, mbështetja prej 45 eurosh synohet të rritet në 90 euro për secilin fëmijë.

Kjo politikë synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve dhe të përmirësojë mirëqenien e fëmijëve.

Programi i shtesave për fëmijë përfshin fëmijët deri në moshën 16-vjeçare që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse.

Megjithatë, rritja e paralajmëruar për janarin e vitit 2027 mbetet e kushtëzuar nga miratimi i masave përkatëse dhe zbatimi i tyre nga institucionet përgjegjëse.