Skip to content

Zbulohet letra tjetër e Arlindës: Për ju është rutinë, për mua është jetë

Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve

Një letër tjetër e Arlinda Zekajt drejtuar Gjykatës për caktimin e urdhrit mbrojtës është publikuar në ditën kur është bërë një javë nga vrasja e saj.

Letra e cila mban datën 7 shtator të këtij viti, i është drejtuar gjykatësit, Migjen Kastrati. Edhe në këtë letër, ajo paralajmëron rrezikun për jetën e saj, e gjithashtu edhe të djalit të saj.

“Shkruaj si një grua që tani po e ndjen rrezikun për jetën e vet, ashtu edhe për jetën e fëmiut që nuk e di ku e kam. Lutem shumë, gjejë pak minuta nga koha e juaj e ngarkuar, për të caktuar urdhrin mbrojtës dhe caktimin e fëmijës në kujdestarinë e në shtëpinë ku kam dhënë gjithçka që kam pas. Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”, ka shkruar ajo.

Letrën e ka publikuar asamblistja në komunën e Deçanit, Natyra Kuçi.

Në përshkrimin e letrës, Kuçi drejtuar gjykatësit ka thënë se “kjo ishte vetëm njëra prej lutjeve të Arlindës për ty”.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj. Ajo u vra pak ditë pasi paralajmëroi me letër institucionet se jeta e saj është në rrezik. Vrasja ndodhi pasi u kthye nga Policia ku e paraqiti ish-bashkëshortin për kanosje.

Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve.

Protestuesit po kërkojnë që vrasja e grave të trajtohet si çështje urgjente kombëtare. Ata kanë kërkuar ndjekje penale të prokurorëve e gjyqtarëve që janë marrë me rastin e saj. Kanë kërkuar edhe shkarkimin e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pasi refuzuan dorëheqjen. E dorëheqje i është kërkuar edhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.