Skip to content

Cyrihu, qyteti i dytë më i sigurt në Evropë

Cyrihu renditet i dyti, duke fituar një pozicion krahasuar me vitin 2026, ndërsa Amsterdami është ngjitur nga vendi i katërt në të tretin

 

Oslo, Cyrihu, Amsterdami dhe Rejkjaviku janë ndër qytetet evropiane më të sigurta për udhëtarët në vitin 2027, sipas renditjes vjetore të publikuar më 28 tetor 2026, bazuar në përvojat e turistëve amerikanë dhe indekset ndërkombëtare të sigurisë.

Kryeqyteti norvegjez, Oslo, ka shënuar një nga përmirësimet më të mëdha, duke u ngjitur në vendin e gjashtë në botë, nga pozicioni i 17-të që mbante një vit më parë.

Cyrihu renditet i dyti, duke fituar një pozicion krahasuar me vitin 2026, ndërsa Amsterdami është ngjitur nga vendi i katërt në të tretin.

Rejkjaviku, kryeqyteti i Islandës, që kryesonte renditjen në vitin 2026, ka zbritur në vendin e pestë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Kopenhagen ka regjistruar një nga rëniet më të mëdha mes qyteteve evropiane, duke kaluar nga vendi i dytë në të 12-in. Kryeqyteti danez kishte mbajtur pozicionin e dytë për dy vite radhazi, në 2025 dhe 2026.

Në listën e 15 qyteteve më të sigurta përfshihen edhe Venecia, në vendin e tetë, Dublini në vendin e 11-të, Barcelona në të 13-in dhe Parisi në vendin e 15-të.

Ndërkohë, Berlini ka vijuar rënien në klasifikim, duke zbritur në vendin e 26-të në vitin 2027, nga vendi i nëntë që mbante në 2025.

Edhe Londra dhe Lisbona, që një vit më parë renditeshin përkatësisht në vendin e 13-të dhe të tetë, nuk figurojnë më në 15-shen e parë.

Në nivel global, ndryshimi më i madh është regjistruar nga Montreali në Kanada, i cili është shpallur qyteti më i sigurt për udhëtarët në vitin 2027.

Montreali është ngjitur nga vendi i 16-të në vitin 2026 në krye të klasifikimit. Në vitin 2025 renditej i gjashti.

Autorët e studimit theksojnë se renditja e vitit 2027 ka pasur luhatje të pazakonta, megjithëse ndryshimet e pozicioneve janë të zakonshme nga një vit në tjetrin.

Renditja e 15 qyteteve më të sigurta në botë për vitin 2027

  1. Montreal, Kanada
  2. Cyrih, Zvicër
  3. Amsterdam, Holandë
  4. Tokio, Japoni
  5. Rejkjavik, Islandë
  6. Oslo, Norvegji
  7. Singapor
  8. Venecia, Itali
  9. Sidnej, Australi
  10. Honolulu, SHBA
  11. Dublin, Irlandë
  12. Kopenhagë, Danimarkë
  13. Barcelonë, Spanjë
  14. San Francisko, SHBA
  15. Paris, Francë