Dhjetëra-mijëra të rinj dolën të shtunën në protesta në disa qytete të mëdha dhe të vogla të Gjermanisë duke kërkuar përmirësime në sistemin arsimor, masa për të përballuar rritjen e kostos së jetesës dhe më shumë drejtësi sociale.
Gjatë ditës demonstratat e organizuara në kuadër të nismës “Gen Z regelt” (“E rregullon Brezi Z”), u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore.
Megjithatë në disa qytete atmosfera e protestave u prish në mbrëmje nga shpërthimi i trazirave, nga plaçkitjet dhe përplasjet me policinë, veçanërisht në Frankfurt. Autoritetet raportuan për sulme ndaj forcave të rendit, dëmtime pronash dhe grabitje dyqanesh, raporton DW, transmeton albinfo.ch.
Ekstremistë të majtë nxitësit kryesorë të dhunës në Frankfurt
Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit deklaroi se dyshohet që rreth 100 ekstremistë të majtë kanë qenë nxitësit kryesorë të dhunës në Frankfurt. Në rrugën tregtare “Die Zeil”, një nga më të frekuentuarat në Gjermani, persona të maskuar thyen vitrina, hynë në dyqane dhe vodhën mallra të ndryshme. Mes objekteve të sulmuara ishte edhe një dyqan armësh, çka çoi në disa arrestime. Policia e mbylli zonën dhe u bëri thirrje qytetarëve të largoheshin nga qendra e qytetit.
Këln: Dhunë nga grupe që nuk kishin lidhje me protestuesit e brezit Z
Përplasje u regjistruan edhe në Këln, ku rreth 200 persona u përfshinë në incidente pranë Katedrales së famshme të qytetit. Sipas policisë drejt efektivëve u hodhën shishe dhe biçikleta, ndërsa një person mbeti i plagosur. Pesë persona u ndaluan nga autoritetet. Në një rrugicë pranë katedrales u thye një dritare pasi gjatë trazirave dikush hodhi një skuter elektrik.
Raste të tjera trazirash u raportuan gjithashtu nga Hamburgu dhe Bremeni.
Mediat lokale të Këlnit njoftuan se në dhunë ishin përfshirë edhe grupe që nuk kishin lidhje me protestuesit e brezit Z.
Shefi i policisë së Këlnit, Johannes Hermanns, shprehu keqardhjen që në protestat paqësore u përfshinë “ekstremistë që kishin në mendje vetëm dhunë”.
Pavarësisht incidenteve pjesa dërrmuese e protestuesve morën pjesë në demonstrata paqësore, duke përsëritur kërkesat e tyre për reforma sociale dhe ekonomike.