Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, ka falënderuar publikun në Dyseldorf për dashurinë, respektin dhe mbështetjen që i ka dhuruar gjatë koncertit të tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti kosovar ka ndarë emocionet dhe mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj mbrëmjeje muzikore.
“Faleminderit nga zemra, Dyseldorf, për dashninë, mirësinë, respektin e mbështetjen! Faleminderit të gjithë muzikantëve të mrekullueshëm që e ndanë skenën me mua dhe i dhanë shpirt kësaj mbramjeje. Faleminderit ekipit tim të palodhshëm! Ju dua tej mase!”, ka shkruar Lahaj.
Tenori do të vazhdojë rrugëtimin e tij artistik në Austri, ku më 8 nëntor 2026 do të paraqitet para publikut vjenez me koncertin “Passion & Origin”.
Koncerti do të mbahet në sallën prestigjioze Großer Saal të Wiener Konzerthaus, duke filluar nga ora 19:00.
Kjo mbrëmje pritet të mbledhë artdashës dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Austri, të cilët do të kenë mundësinë të shijojnë nga afër interpretimin e tenorit kosovar.
Biletat për koncertin janë në dispozicion përmes faqes zyrtare të artistit, www.ramelahaj.com.