Skip to content

Identifikohen edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë

Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të analizave të ADN-së.

Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve, transmeton albinfo.ch.

Sipas Kurtit, identifikimi është bërë mbi bazën e raporteve të reja të ADN-së, të pranuara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, pas zhvarrosjes së mbetjeve mortore në Kalludër dhe Jabukë.

Ai ka bërë të ditur se Komisioni, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre personave të identifikuar.

Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti ishin intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët, sipas Kurtit, në prill të vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë.

Kryeministri ka shprehur ngushëllimet për familjet e tyre, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka kërkuar gjithashtu drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, duke akuzuar Serbinë se vazhdon t’i mohojë ato, të fshehë dokumentet dhe arkivat, si dhe të glorifikojë autorët e gjenocidit.

Identifikimi i tre personave vjen pas zhvarrosjes së mbetjeve mortore në Kalludër dhe Jabukë, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.