Skip to content

42% e qytetarëve zviceranë përdorin inteligjencën artificiale për problemet shëndetësore

Sipas një studimi të ri, 42% e qytetarëve të anketuar kanë përdorur chatbotët e inteligjencës artificiale për të marrë informacione rreth gjendjes së tyre shëndetësore, më shumë se dyfishi krahasuar me një vit më parë

Përdorimi i inteligjencës artificiale për të kuptuar simptomat e sëmundjeve po rritet me ritme të shpejta në Zvicër.

Sipas një studimi të ri, 42% e qytetarëve të anketuar kanë përdorur chatbotët e inteligjencës artificiale për të marrë informacione rreth gjendjes së tyre shëndetësore, më shumë se dyfishi krahasuar me një vit më parë.

Studimi është realizuar nga instituti kërkimor Sotomo, me porosi të kompanisë zvicerane të sigurimeve shëndetësore CSS, dhe është publikuar të martën, më 3 nëntor 2026. Rezultatet tregojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale për çështje shëndetësore është rritur nga 20% në 42% brenda vetëm një viti, transmeton albinfo.ch.

Rritja është veçanërisht e dukshme te të rinjtë. Sipas studimit, 62% e personave të moshës 18 deri në 35 vjeç përdorin inteligjencën artificiale për të kërkuar këshilla ose për të interpretuar simptoma të ndryshme. Megjithatë, kjo teknologji po fiton popullaritet edhe te gjeneratat më të vjetra. Në mesin e personave mbi 65 vjeç, përdorimi është rritur nga 10% në 30% brenda një viti.

Më shumë se një e katërta e të anketuarve e konsiderojnë inteligjencën artificiale ndër burimet kryesore të informacionit për çështjet shëndetësore. Chatbotët përdoren jo vetëm për simptoma fizike, por edhe për shqetësime psikologjike dhe emocionale.

Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se inteligjenca artificiale nuk po e zëvendëson mjekun. Për shumicën e qytetarëve, ajo shërben si burim plotësues informacioni, ndërsa konsultimet me profesionistët shëndetësorë vazhdojnë të kenë rëndësi thelbësore.

Studimi ka sjellë edhe të dhëna për gjendjen e përgjithshme shëndetësore të popullsisë zvicerane. Përqindja e personave që e vlerësojnë shëndetin e tyre si të mirë ose shumë të mirë është rritur nga 62% në 66%, duke treguar një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar.

Ndër faktorët që ndikojnë negativisht në shëndet, të anketuarit kanë përmendur mungesën e gjumit ose cilësinë e dobët të tij, mungesën e aktivitetit fizik dhe stresin në punë.

Një tjetër rezultat interesant lidhet me ndikimin e mediave digjitale. Rreth 44% e të rinjve të moshës 18 deri në 35 vjeç besojnë se përdorimi i rrjeteve sociale, konsumimi i lajmeve dhe videove mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre afatgjatë.

Gjithashtu, për herë të parë që nga fillimi i kësaj serie studimesh, qytetarët zviceranë e konsiderojnë ushqyerjen po aq të rëndësishme sa predispozitat gjenetike për zhvillimin e sëmundjeve të rënda.

Rezultatet dëshmojnë se inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme në jetën e përditshme të zviceranëve, përfshirë një fushë veçanërisht të ndjeshme si shëndetësia. Megjithatë, ekspertët rikujtojnë se informacionet e gjeneruara nga këto sisteme nuk duhet të konsiderohen diagnoza mjekësore dhe nuk mund të zëvendësojnë vlerësimin profesional.