Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të dëshmojë rezultate konkrete nëse synon të avancojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.ch.
Gjatë intervistës për Euronews në Bruksel, Rama theksoi se integrimi i Serbisë është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, por sipas tij, Beogradi duhet të tregojë gatishmëri për të përmbushur detyrimet që dalin nga procesi evropian.
Ai përmendi në veçanti qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, por edhe raportet e saj me Rusinë dhe mungesën e përafrimit të plotë me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.
“Na duhet Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e fqinjësisë dhe të jetë pjesë e plotë e BE-së, por duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë përkatësi, duke realizuar atë që është e panegociueshme me BE-në”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se ka mbështetur vazhdimisht orientimin evropian të Serbisë, duke theksuar se rajoni ka nevojë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin drejt integrimit evropian./Albinfo.ch