Sot, më 18 shtator, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbahet protesta gjithëpopullore e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), përcjell albinfo.ch.
Protesta organizohet në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të shpallur më 16 shtator.
Në këtë proces, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet, gjithsej 81 vjet burgim.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Gazmend Syla nga OVL-UÇK tha se organizata e tij e kundërshton vendimin dhe e cilësoi luftën e UÇK-së si rezistencë të popullit të Kosovës.
Syla ka bërë të ditur gjithashtu se shoqatat e dala nga lufta synojnë krijimin e një Këshilli Koordinues Kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe përfaqësues nga Shqipëria, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe diaspora.
“Deri në procesin e Apelit kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona në këtë drejtim”, ka deklaruar Syla.
Protesta e sotme vjen pas një sërë reagimesh publike në Kosovë lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. /Albinfo.ch