Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës zbarkon me mjekët më të njohur shqiptarë të Zvicrës ne Kosovë.
Në Hotel Emerald në Prishtinë, do të mbahet edicioni i katërt i “Swiss Medical School”, një ngjarje profesionale që synon shkëmbimin e njohurive dhe përvojave në fushën e mjekësisë.
Nën organizimin e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (LMSHZ), e njohur edhe si Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (SAAV), Prishtina do të jetë nikoqire e një aktiviteti të rëndësishëm edukativ dhe profesional në fushën e shëndetësisë. Edicioni i katërt i “Swiss Medical School” do të sjellë ligjërata dhe punëtori profesionale (workshope), duke krijuar mundësi për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave mjekësore.
Programi përfshin disa fusha të rëndësishme të mjekësisë, si kardiologjia, kirurgjia, neuroradiologjia, angiologjia, gjinekologjia, endokrinologjia dhe gastroenterologjia.
Ky aktivitet synon të forcojë bashkëpunimin profesional ndërmjet komunitetit mjekësor shqiptar në Zvicër dhe atij në Kosovë, duke kontribuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe shkëmbimin e përvojave në shëndetësi.
“Swiss Medical School” përfaqëson një mundësi të vlefshme për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes profesionistëve të shëndetësisë në diasporë dhe në vendlindje.
Ngjarja do të zhvillohet më 7 nëntor 2026, duke filluar nga ora 08:30, në Hotel Emerald në Prishtinë.
