Skip to content

Kurti: Deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë

Kosova importoi mallra në vlerë prej shtatë miliardë eurosh gjatë vitit 2025, ndërsa eksportet arritën vetëm rreth një miliard euro.

Deficiti tregtar vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës, pavarësisht rritjes ekonomike dhe shtimit të eksporteve. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka theksuar se gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportet arritën vetëm në një miliard euro. Sipas tij, edhe gjatë vitit 2026, ndonëse është shënuar rritje e eksporteve, diferenca ndërmjet importit dhe eksportit vazhdon të jetë e madhe.

“Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet të pranojmë që deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë”, ka deklaruar Kurti.

Këtë gjendje e pasqyrojnë edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin shtator 2026. Sipas tyre, deficiti tregtar arriti në 534 milionë euro, krahasuar me 520.5 milionë euro në të njëjtin muaj të vitit 2025, që paraqet një rritje prej 2.6 për qind.

Këto shifra dëshmojnë se hendeku ndërmjet importeve dhe eksporteve vazhdon të mbetet i lartë, duke e bërë rritjen e prodhimit vendor dhe forcimin e kapaciteteve eksportuese ndër sfidat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës./Albinfo.ch