Skip to content

Kjo komunë zvicerane u dhuron nga 100 franga të gjithë banorëve

Vendimi vjen pas një suficiti prej 55.5 milionë frangash në buxhetin e vitit 2025. Kuponët do të shpërndahen në dhjetor dhe mund të përdoren në bizneset lokale.

Banorët e komunës së Baarit, në kantonin e Zugut, do të përfitojnë nga 100 franga secili, në prag të festave të fundvitit. Kjo dhuratë financohet nga suficiti i konsiderueshëm prej 55.5 milionë frangash që komuna ka regjistruar në buxhetin e vitit 2025, shkruan albinfo.ch.

Për mënyrën se si duhej të shfrytëzohej ky suficit ishte votuar në muajin qershor. Me ndarjen e nga 100 frangave për secilin prej 25 540 banorëve, nga arka e komunës do të shpërndahen gjithsej 2.554 milionë franga. Ndërkaq, mbetet ende e paqartë se si do të përdoren 52.5 milionë frangat e tjera.

Kuponët do të dërgohen me postë

Nisma fillestare erdhi nga partia “Die Mitte”, e cila kishte propozuar ndarjen e nga 15 frangave për çdo banor. Partia Socialdemokrate (SP) kërkoi që shuma të rritej në 100 franga. Propozimi u miratua me 138 vota pro dhe 127 kundër.

Pagesa nuk do të bëhet në para të gatshme, por përmes kuponëve personalë me kode QR, të cilët do t’u dërgohen përfituesve në fillim të dhjetorit, përmes postës A-Post Plus.

Megjithatë, e drejta për përfitim nuk vlen për të gjithë ata që jetojnë aktualisht në Baar. Kuponët do t’i marrin vetëm personat që kanë qenë të regjistruar si banorë të komunës më 10 qershor 2026, në orën 17:00.

Kuponët mund të përdoren në bizneset lokale pjesëmarrëse në këtë aksion. Ata që nuk shfrytëzohen brenda dy vjetësh do të skadojnë, ndërsa bashkë me ta humbin vlefshmërinë edhe shumat e mbetura. /Albinfo.ch