Skip to content

Djali i heroit Afrim Bunjaku diplomon në Policinë e Kosovës, vazhdon rrugën e të atit

Jetlum Bunjaku është pjesë e gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, duke ndjekur profesionin e babait të tij, i cili ra në krye të detyrës në Banjskë.

Jetlum Bunjaku, djali i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, ka diplomuar si pjesëtar i gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, duke zgjedhur të ndjekë rrugën profesionale të babait të tij, përcjell albinfo.ch.

Diplomimi i tij përbën një moment të veçantë për familjen Bunjaku, pasi Jetlumi i bashkohet institucionit ku babai i tij kishte shërbyer deri në ditën e fundit të jetës.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, teksa ishte në krye të detyrës.

Pas vrasjes, ai u shpall Hero i Kosovës, në nderim të sakrificës dhe kontributit të tij në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë së vendit.

Jetlumi kishte nisur përgatitjen profesionale në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ndërsa në maj të këtij viti ishte bërë e ditur se ai ishte pjesë e gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.

Me përfundimin e trajnimit dhe diplomimin, ai tashmë ndjek të njëjtin profesion si babai i tij, duke vazhduar traditën familjare të shërbimit në Policinë e Kosovës.