Osmani uron Kurban Bajramin: Solidaritet, paqe dhe dashuri mes njerëzve

Vjosa Osmani ka uruar festën e Kurban Bajrami, duke theksuar rëndësinë e besimit, solidaritetit dhe kujdesit ndaj njëri-tjetrit.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka deklaruar se kjo festë kujton forcën e besimit në Zot dhe vlerën e solidaritetit njerëzor.

Ajo ka bërë thirrje që në këto ditë të bekuara të hapen zemrat për më shumë dashuri dhe kujdes, veçanërisht për ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi.

“Uroj që Kurban Bajrami të sjellë paqe në zemrat tuaja, harmoni në familje, shëndet, begati dhe gëzim në çdo vatër. Qoftë kjo festë një moment bashkimi, faljeje dhe shprese për ditë më të mira për të gjithë. Me fat Kurban Bajrami!”, ka shkruar ajo.

Zvicerani arrestohet në Romë me 19.5 kg marihuanë nga Bangkoku

Në aeroportin ndërkombëtar Aeroporto di Roma Fiumicino në Romë, autoritetet italiane kanë arrestuar një shtetas zviceran pasi në bagazhin e tij u gjetën rreth 19.5 kilogramë marihuanë, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, i dyshuari kishte udhëtuar nga qyteti Bangkok dhe ishte ndaluar gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar nga njësitë e Guardia di Finanza, të cilat po monitoronin trafikun ndërkombëtar të drogës.

Droga ishte e paketuar me vakum dhe, sipas mediave italiane, disa paketa ishin të pajisura edhe me pajisje GPS për gjurmim, duke ngritur dyshime për një rrjet të organizuar të trafikut të narkotikëve.

Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se ky nuk është një rast i izoluar, pasi në periudhën 2024–2026 janë regjistruar dhjetëra arrestime dhe janë sekuestruar mbi 830 kilogramë marihuanë në operacione të ngjashme në aeroporte dhe pika kufitare.

Hetimet për rastin e shtetasit zviceran po vazhdojnë për të zbuluar destinacionin final të drogës dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. /Albinfo.ch

Pesë fakte interesante rreth festës së Kurban Bajramit

Nga historia e profetit Ibrahim deri te format moderne të bamirësisë, Kurban Bajrami mbetet simbol i sakrificës, besimit dhe solidaritetit, përcjell albinfo.ch.

Eid al-Adha, i njohur te shqiptarët si Kurban Bajrami, është një nga festat më të rëndësishme në fenë islame dhe shoqërohet me tradita të veçanta fetare e familjare.

Therja simbolike lidhet me një histori të lashtë

Kjo festë bazohet në historinë e profetit Abraham (Ibrahim), i cili ishte i gatshëm të flijonte të birin si akt bindjeje ndaj Zotit. Sipas traditës islame, në momentin e fundit Zoti e zëvendësoi sakrificën me një dash, duke e kthyer këtë ngjarje në simbol të besimit, sakrificës dhe përkushtimit shpirtëror.

Festohet gjatë periudhës së Haxhit

Kurban Bajrami përkon me ditët e Hajj, pelegrinazhit të madh islam në Mecca. Besimtarët myslimanë që ndodhen në Arabinë Saudite kryejnë therjen e kurbanit pas përfundimit të riteve të Haxhit.

Jo të gjithë janë të detyruar të bëjnë kurban

Sipas rregullave fetare, kurbani kryhet nga besimtarët që kanë mundësi financiare. Ata që nuk kanë kushte ekonomike nuk obligohen të therin kafshë, ndërsa festa mbetet e lidhur ngushtë me solidaritetin dhe ndihmën për familjet në nevojë.

Kurbani sot realizohet edhe përmes donacioneve online

Në vitet e fundit, shumë besimtarë që jetojnë në diasporë ose nuk kanë mundësi ta kryejnë vetë therjen, kontribuojnë përmes organizatave bamirëse online. Këto organizata realizojnë kurbanin në emër të tyre dhe mishin e shpërndajnë tek familjet në nevojë në vende të ndryshme të botës.

Një nga ditët më humane të vitit

Gjatë Kurban Bajramit, miliona kilogramë mish shpërndahen në mbarë botën për të varfrit. Në disa vende afrikane apo aziatike, është dita e vetme në vit kur shumë njerëz hanë mish.

Kosova shkëlqen në botë: Lisjeta Thaqi triumfon në Kupën e Botës në paraglajd

Kosova ka shënuar një sukses të madh në serinë e dytë të Paragliding Accuracy World Cup, e mbajtur në Maqedoninë e Veriut, ku pilotja Lisjeta Thaqi u rendit në vendin e parë në kategorinë e femrave.

Me një performancë të qetë, të saktë dhe në nivel të lartë profesional, Thaqi arriti të lërë pas disa prej emrave më të njohur të këtij sporti, duke e vendosur Kosovën në majat e garave ndërkombëtare. Ky rezultat vjen si dëshmi e punës së saj të vazhdueshme, përkushtimit dhe përgatitjes së lartë që ajo tregon në çdo paraqitje.

Edhe pilotët e tjerë kosovarë patën paraqitje të mira në këtë garë të fortë. Migjen Shala u rendit në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme, ndërsa Fanol Shala dhe Lisjeta Thaqi ndanë vendin e pestë në botë.

Kosova po vazhdon të shquhet në skenën ndërkombëtare, duke nxjerrë sportistë që po garojnë me sukses kundër elitës botërore në paraglajd.

Trump pas kontrolleve mjekësore: “Rezultatet perfekte”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se rezultatet e ekzaminimit të tij të fundit mjekësor kanë qenë “perfekte”. Kontrolli u zhvillua gjatë një vizite mbi treorëshe në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed, ku ai iu nënshtrua kontrolleve rutinë vjetore parandaluese, përfshirë ato mjekësore dhe dentare, sipas AP.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti u kthye menjëherë në rezidencën presidenciale pas përfundimit të vizitës, ndërsa rezultatet zyrtare të kontrollit nuk u publikuan menjëherë.

Ky është ekzaminimi i katërt mjekësor i bërë publik që prej rikthimit të tij në detyrë për mandatin e dytë.

Trump e përshkroi vizitën si një “kontroll fizik gjashtëmujor”, duke falënderuar mjekët dhe stafin e Qendrës Mjekësore Ushtarake Walter Reed, dhe duke theksuar se gjithçka kishte shkuar “perfekt”.

“ChatGPT” me qasje në llogaritë bankare, ekspertët paralajmërojnë rreziqe kibernetike

OpenAI ka prezantuar një funksion të ri që u mundëson përdoruesve të lidhin llogaritë e tyre bankare me ChatGPT, duke i dhënë inteligjencës artificiale qasje në të dhëna financiare të ndjeshme.

Sipas kompanisë, funksioni është aktualisht i disponueshëm për përdoruesit e ChatGPT Pro në Shtetet e Bashkuara dhe lejon lidhjen me mbi 12,000 institucione financiare. Përmes tij, përdoruesit mund të shikojnë bilancet, shpenzimet, investimet dhe aktivitetet e tjera financiare direkt brenda chatbot-it.

OpenAI thekson se përdoruesit mund ta përdorin këtë sistem për të bërë pyetje të personalizuara financiare, si analizimi i shpenzimeve, planifikimi për blerje prone, menaxhimi i borxheve apo investimeve.

Gjithashtu, kompania ka njoftuar bashkëpunim me Intuit, që do t’u mundësojë përdoruesve të caktojnë konsultime me ekspertë tatimorë përmes platformës.

Sistemi mund të ruajë informacione si kreditë, kursimet dhe qëllimet financiare, në mënyrë që të ofrojë përgjigje më të personalizuara në bisedat e ardhshme. Megjithatë, OpenAI sqaroi se ChatGPT nuk do të ketë akses në numrat e plotë të llogarive dhe nuk mund të kryejë ndryshime në to, por vetëm të shohë të dhëna si bilancet dhe transaksionet.

Megjithatë, kjo risi ka ngritur shqetësime të mëdha te ekspertët e sigurisë kibernetike dhe privatësisë. Sipas tyre, integrimi i tillë mund të rrisë rrezikun e sulmeve kibernetike, rrjedhjeve të të dhënave apo mashtrimeve phishing, pasi hakerët mund të shfrytëzojnë informacionin financiar të përdoruesve.

Një tjetër shqetësim lidhet me opsionin e përdorur për përmirësimin e modeleve të IA-së, i cili mund të aktivizohet automatikisht për disa përdorues, duke ngritur pyetje mbi mënyrën e përdorimit të të dhënave.

OpenAI ende nuk ka bërë të ditur se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme globalisht.

Zvicêr: Si do të kufizohen reklamat e ushqimeve të pashëndetshme për fëmijët?

Qeveria e Zvicrës ka propozuar një plan vetërregullimi që synon të kufizojë reklamat e ushqimeve me shumë sheqer, yndyrë dhe kripë, të drejtuara për fëmijët nën 13 vjeç. Masa synon të mbrojë fëmijët nga ndikimi i marketingut të produkteve si çokollatat, patatinat dhe pijet e ëmbla.

Sipas Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë (FSVO), reklamat për këto produkte duhet të hiqen nga hapësirat ku fëmijët ekspozohen më së shumti, përfshirë shkollat, televizionin, internetin, rrjetet sociale dhe lojërat online.

Plani kërkon që industria ushqimore dhe ajo e reklamave të zbatojnë vetërregullim të bazuar në kriteret ushqimore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndërsa procesi do të mbikëqyret nga autoritetet federale, transmeton albinfo.ch.

Industria ka afat deri në mes të korrikut për të vendosur nëse do të marrë pjesë në këtë nismë.

Autoritetet zvicerane theksojnë se reklamat e ushqimeve të pashëndetshme ndikojnë në zakonet e të ushqyerit të fëmijëve. Aktualisht, rreth një në pesë fëmijë në Zvicër është mbipeshë ose obez, duke rritur rrezikun për sëmundje kronike në të ardhmen.

Zvicër: Rritet mbështetja për NATO-n, bie besimi absolut në neutralitet

Një studim vjetor i realizuar nga Akademia Ushtarake (Milak) dhe ETH Cyrih tregon ndryshime të dukshme në opinionin publik zviceran për sigurinë, ushtrinë dhe politikën e jashtme.

Sipas të dhënave të “Security 2026”, 56% e qytetarëve mbështesin rritjen e bashkëpunimit të Zvicrës me vendet e NATO-s, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 1993. Megjithatë, shumica mbeten kundër anëtarësimit të plotë në aleancë.

Studimi tregon gjithashtu se mbështetja për neutralitetin e vendit, ndonëse mbetet e lartë në rreth 85%, po vihet gjithnjë e më shumë në diskutim. Rreth 43% e të anketuarve besojnë se një aleancë evropiane e sigurisë do të ofronte më shumë mbrojtje sesa neutraliteti.

Sondazhi tregon një shoqëri të ndarë edhe për buxhetin e ushtrisë: një pjesë kërkon rritje të shpenzimeve, një pjesë mendon se janë të mjaftueshme, ndërsa të tjerët i konsiderojnë të tepërta. Megjithatë, tendenca për mbështetje më të madhe ndaj ushtrisë është në rritje.

Studiuesit theksojnë se ndryshimet në opinion lidhen me situatën globale të pasigurt dhe konfliktet ndërkombëtare, të cilat kanë rritur ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj çështjeve të sigurisë.

Në përgjithësi, raporti përfundon se Zvicra po largohet nga imazhi i një “ishulli të izoluar të stabilitetit” dhe po shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e ndërvarur e krizave globale.

Salt rrit sërish çmimet e abonimeve nga 1 qershori

Operatori telefonik zviceran Salt ka njoftuar rritje të çmimeve për disa abonime duke filluar nga 1 qershori 2026. Sipas kompanisë, tarifat do të rriten nga 1 deri në 2 franga zvicerane, për shkak të investimeve në rrjet dhe përmirësimit të shërbimeve.

Klientët kanë të drejtë ta kundërshtojnë këtë ndryshim ose të ndërpresin kontratën, por vetëm brenda 30 ditëve nga njoftimi për rritjen e çmimeve. Afati i fundit për reagim është 1 qershori.

Disa abonentë kanë raportuar se, pas kontaktit me shërbimin ndaj klientit, kanë arritur të shmangin rritjen ose të përfitojnë oferta më të favorshme.

Salt nuk është operatori i vetëm që po rrit tarifat. Edhe Sunrise dhe Swisscom kanë paralajmëruar ose kanë aplikuar rritje çmimesh gjatë këtij viti.

Mbrëmje kulturore në zemër të Frankfurtit

Një mbrëmje kulture, arti dhe humori në zemër të Frankfurtit! “4 në 1” nga Varg e Vi në partneritet me HorizontAL, financim nga TOSKA ELEKTRONICS, me ekspozitë artistike e stand-up komedi dhe energji të paharrueshme nga publiku.

Ky event i shkëlqyeshëm kulturor në Frankfurt kishte katër elemente të ndryshme: Stand up comedy, ekspozitë me piktura, instalacion video dhe ekspozitë me fotografi, transmeton albinfo.ch.

“Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e kësaj nate speciale në Frankfurt!”, ka shkruar aktori Avni Shkodra.

 

Në Gjenevë organizohet konferencë kushtuar Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte

Më 13 qershor 2026, në ora 19:00, në Ecole du Bosson – Aula, Av. du Bois-de-la-Chapelle 90, 1213 Onex në Gjenevë, do të mbahet konferenca kushtuar Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte.

Ngjarja organizohet nga shoqata “Zëri i Gruas LIRA”, me mbështetjen e Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë dhe do të sjellë në panel emra të njohur të institucioneve, diplomacisë, shëndetësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesëmarrëset e konferencës janë: Vasfije Krasniqi Goodman – e deleguara e posaçme për çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës; Feride Rushiti – themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT); Floreta Kabashi Ademaj – udhëheqëse e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë; Leonora Selmani – kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës; Shqipe Shehu Brovina – psikiatre dhe psikoterapeute FMH, ish-shefe klinike në HUG dhe mjeke konsulente në HUG; si dhe Linda Rexhaj Maliqi – organizatore dhe themeluese e “Zërit të Gruas LIRA”.

Konferenca synon të nxisë reflektim dhe ndërgjegjësim mbi pasojat afatgjata të dhunës seksuale në konflikte, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë, rehabilitimit dhe mbështetjes institucionale për të mbijetuarit.

Organizatorët kanë bërë të ditur se të interesuarit duhet të regjistrohen paraprakisht për pjesëmarrje përmes platformës: e-drejtajote.ch

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

 

Në Tiranë protestohet për gjuhën shqipe

Ka nisur në Tiranë protesta në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët edhe në tubimet e tyre kanë kërkuar të drejtën për ta zhvilluar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, grumbullimi i studentëve shqiptarë, por edhe atyre të ardhur nga RMV, nisi në sheshin Skënderbej, për ta vazhduar marshimin drejt ambasadës së Maqedonisë, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Me thirrjen “Ne jemi bashkë”, studentët po zhvillojnë protestën në Tiranë, si një përgjigje kundër autoriteteve maqedonase, të cilat nuk i lejuan t’i bashkoheshin studentëve shqiptarë në Maqedoni në protestën e tyre në Shkup pak ditë më parë.

Dy të rinj nga Kosova kapen me armë gjatë kontrollit të makinës

Të shtunën në mbrëmje, policia kantonale e Schwyz, së bashku me policinë kantonale të Cyrihut, kryen një operacion të përbashkët hetimor penal. Policia e Schwyz deklaroi në një njoftim për shtyp të martën se “fokusi ishte në vendet kyçe si stacionet e trenave, zonat buzë liqenit dhe autostrada A3.”, transmeton albinfo.ch

Patrullat nga policia e kantoneve të Schwyzit dhe Cyrihut ndaluan një furgon shpërndarjeje në autostradën A3 që përdorte targa të vjedhura, shkruan polizeinews.ch. Brenda automjetit, që i përkiste shoferit 27-vjeçar dhe pasagjerit të tij 26-vjeçar, policët gjetën, ndër të tjera, një pistoletë, maska dhe mjete për vjedhje.

Sipas policisë, shtetasi 26-vjeçar kosovar gjithashtu banonte ilegalisht në Zvicër dhe kërkohej me një urdhër arresti ndërkombëtar.

Prokuroria Publike e Schwyzit ka hapur procedurë penale kundër dy kosovarëve dhe ka kërkuar paraburgim nga gjykata e masave të detyrueshme, përcjell albinfo.ch. Së bashku me Policinë Kantonale të Schwyzit, Zyra e Prokurorit Publik po kryen hetimin dhe po përcakton nëse dy personat e arrestuar janë përgjegjës për vepra të tjera penale.

Prezumimi i pafajësisë vlen për të dy të përmendurit.

(Foto: KAPO Schwyz)

Protestë simbolike për mbrojtjen e jetës tradicionale në Bjeshkët e Nemuna

Banorë të zonës, bjeshkatarë, guida malore, pronarë stanesh dhe operatorë turistikë kanë paralajmëruar një protestë simbolike kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e transportit të materialeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Protesta do të mbahet të martën, më 2 qershor 2026, nga ora 11:00, te rampa (Laura) e Parkut Kombëtar në Grykën e Deçanit.

Organizatorët thonë se banorët e këtyre bjeshkëve nuk janë kundër natyrës, por pjesë e saj, duke theksuar se jeta në stanet alpine dhe tradita e blegtorisë ekzistojnë prej brezash në këtë zonë.

Sipas tyre, ndalimi i transportit të materialeve ndërtimore vështirëson mirëmbajtjen e stanëve ekzistuese dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën e banorëve lokalë dhe zhvillimin e turizmit malor.

Përmes kësaj proteste simbolike, ata kërkojnë:

  • ruajtjen e jetës tradicionale në bjeshkë,
  • mundësi për mirëmbajtjen e staneve ekzistuese,
  • mbështetje për turizmin malor dhe banorët lokalë,
  • si dhe dialog institucional për zgjidhje konkrete.

“Bjeshka pa njerëz nuk mbrohet, braktiset”, thuhet në thirrjen publike të organizatorëve.

Fehim Abazi: “Kurban Bajrami na kujton përgjegjësinë ndaj familjes, shoqërisë dhe njëri-tjetrit”

Në prag të festës së Kurban Bajramit, kryetari i ri i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Fehim Abazi, në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, flet për domethënien e kësaj feste, për ruajtjen e vlerave brenda diasporës shqiptare dhe për prioritetet e tij në drejtimin e komunitetit.

Ai thotë se Kurban Bajrami mbetet një ndër festat që i rikthen njerëzit tek kujdesi për tjetrin, solidariteti dhe lidhja me familjen: “Në prag të festës së Kurban Bajramit, dëshiroj t’ua përcjell urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë në Zvicër dhe kudo që ndodhen. Kjo festë e madhe na kujton vlerat më të larta njerëzore dhe fetare: besimin, sakrificën, përkushtimin dhe afërsinë me Allahun xh.sh.”

Sipas kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Fehim Abazi  sfidat që po kalon sot shoqëria kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe afërsi njerëzore: “Sot bota po përballet me shumë sfida, pasiguri shpirtërore, tensione sociale, luftëra, varfëri dhe mungesë solidariteti. Në një kohë të tillë, Kurban Bajrami na fton të rikthehemi tek vlerat e mëshirës, paqes, respektit dhe kujdesit për njëri-tjetrin. Është një festë që na mëson se besimi nuk është vetëm ritual, por përgjegjësi ndaj familjes, shoqërisë dhe njerëzimit.”

Në mesazhin e tij  kryetari i KMShZ-së drejtuar shqiptarëve në Zvicër, ai kërkon ruajtjen e lidhjes me gjuhën, kulturën dhe komunitetin: “Mesazhi im për bashkatdhetarët tanë është që ta ruajmë unitetin, dashurinë dhe lidhjen me fenë, gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare. Le të jetë kjo festë një mundësi për pajtim, afrim dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore.”

Një pjesë e rëndësishme e intervistës lidhet edhe me rolin e gjeneratës së re shqiptare në diasporë, kryetari i Fehim Abazi thotë se ruajtja e traditave dhe edukimit fetar kërkon angazhim të vazhdueshëm: “Diaspora shqiptare në Zvicër ka ruajtur me shumë përkushtim traditat fetare dhe kombëtare, por sfidat e kohës kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, sidomos për edukimin e gjeneratave të reja.”

Ai thekson se të rinjtë duhet të përfshihen më shumë në jetën e komunitetit dhe aktivitetet humanitare: “Fryma e Kurban Bajramit ruhet duke kultivuar solidaritetin, humanizmin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit. Ne duhet t’i afrojmë të rinjtë më shumë me xhaminë, me edukimin fetar dhe me aktivitetet kulturore e humanitare, në mënyrë që ata ta kuptojnë fenë si burim morali, identiteti dhe shprese.”

Sipas tij, bashkëpunimi mes familjes, imamëve dhe institucioneve është i domosdoshëm për edukimin e brezave të rinj: “Është shumë e rëndësishme që familja, imamët dhe institucionet tona të punojnë së bashku për t’i edukuar të rinjtë me ndjenjën e respektit, mirësisë dhe përgjegjësisë sociale. Kur të rinjtë angazhohen në aktivitete bamirësie, ndihmë për nevojtarët dhe jetën në komunitet, atëherë fryma e Bajramit bëhet pjesë e jetës së tyre të përditshme.”

Duke folur për përgjegjësinë e re në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, ai thotë se prioritet do të jetë forcimi i organizimit dhe bashkëpunimit brenda komunitetit: “Është një përgjegjësi dhe amanet i madh të udhëheqësh Komunitetin Mysliman Shqiptar në Zvicër. Prioriteti ynë do të jetë forcimi i unitetit dhe organizimit institucional të komunitetit tonë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes xhamive, imamëve dhe besimtarëve.”

Ai shton se fokusi do të jetë edhe edukimi i gjeneratës së re dhe ruajtja e identitetit fetar e kulturor të shqiptarëve në Zvicër: “Një ndër fokuset kryesore do të jetë edukimi fetar dhe kombëtar i gjeneratës së re, ruajtja e identitetit tonë fetar e kulturor, si dhe avancimi i rolit të komunitetit në jetën shoqërore të shqiptarëve në Zvicër.”

Në fund të intervistës për albinfo.ch, Fehim Abazi rendit edhe prioritetet konkrete të punës së tij: “Po ashtu, do të punojmë në: forcimin e transparencës dhe komunikimit me besimtarët; mbështetjen e aktiviteteve edukative, kulturore dhe humanitare; përfaqësimin dinjitoz të komunitetit tonë në institucionet zvicerane; promovimin e vlerave të paqes, dialogut dhe bashkëjetesës.”

Ai e përmbyll intervistën me urimin për besimtarët myslimanë shqiptarë: “Ne dëshirojmë që komuniteti ynë të jetë një derë e hapur për të gjithë shqiptarët myslimanë në Zvicër, një vend ku ruhet feja, kultura, gjuha dhe fryma e solidaritetit. Me këtë rast, të gjithë besimtarëve u uroj: Gëzuar Kurban Bajramin! Allahu i pranoftë ibadetet, kurbanet dhe lutjet tona!”

Për albinfo.ch Luljeta Ademi.

 

Izolimi çon në më shumë mosbesim, thotë një studim zviceran

Një studim i udhëhequr nga Universiteti i Bernës ka arritur në përfundimin se izolimi afatgjatë dhe jetesa në kushte ekstreme rrisin ndjenjën e vetmisë, mosbesimin dhe konfliktet mes njerëzve. Hulumtimi u realizua tek një grup prej 12 personash që kaluan dhjetë muaj në stacionin kërkimor Concordia në Antarktidë, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas studiuesve, pjesëmarrësit raportuan rritje të konflikteve dhe mendimeve paranojake, ndërsa ndjenja e bashkëpunimit dhe performanca e ekipit ranë gradualisht gjatë misionit. Të dhënat treguan se edhe kontakti i vazhdueshëm fizik nuk solli më shumë afërsi, por në shumë raste shtoi tensionet dhe mosbesimin.

Studimi zbuloi gjithashtu se grupi nisi të ndahej sipas kombësive, duke rritur rrezikun e polarizimit social dhe konflikteve të brendshme. Ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate janë të rëndësishme për misionet e ardhshme hapësinore, nëndetëset dhe ambientet e tjera ku njerëzit jetojnë për periudha të gjata në izolim.

Hulumtuesit theksojnë nevojën për mbështetje psikologjike dhe monitorim të vazhdueshëm të marrëdhënieve sociale në mjedise të tilla ekstreme, për të shmangur përkeqësimin e gjendjes mendore dhe konfliktet brenda ekipeve.

Mbi 550 mijë vetura pa kontroll teknik në Zvicër

Autoritetet kantonale në Zvicër po përballen me vonesa të mëdha në kryerjen e kontrolleve teknike të detyrueshme për automjetet, duke lënë mbi 550 mijë vetura pa inspektim në të gjithë vendin.

Sipas mediave zvicerane, shërbimet përgjegjëse nuk po arrijnë të përballojnë fluksin e automjeteve që duhet të kalojnë kontrollin periodik teknik. Situata ka ngritur shqetësime për sigurinë në trafik dhe gjendjen teknike të makinave që vazhdojnë të qarkullojnë pa verifikim zyrtar, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se plakja e flotës së automjeteve dhe rënia e blerjeve të makinave të reja po ndikojnë gjithashtu në rritjen e numrit të automjeteve që kërkojnë kontrolle më të shpeshta.

Në Zvicër, kontrolli teknik i automjeteve është i detyrueshëm dhe kryhet periodikisht nga autoritetet kantonale për të garantuar standardet e sigurisë dhe emetimeve në trafik.

Igli Tare largohet nga Milani

Ish-drejtori sportiv i AC Milan, Igli Tare, nuk është më pjesë e klubit italian, pasi ndarja është konfirmuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme, përcjell albinfo.ch.

Tare është parë duke hyrë dhe më pas duke u larguar nga selia e klubit “Casa Milan”, në një ditë që shënoi përfundimin e bashkëpunimit të tij me drejtuesit e skuadrës.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, ai u shpreh: “E kam bërë gjithçka gjithmonë me shumë sakrificë.”

Kjo lëvizje vjen në një periudhë ndryshimesh të rëndësishme për klubin milanez, i cili pritet të ndërtojë një projekt të ri sportiv pas një sezoni larg pritshmërive dhe objektivave të vendosura. /Albinfo.ch

Aksident tragjik në Belgjikë: treni përplaset me autobus shkollor, disa viktima

Në qytetin Buggenhout në Belgjikë, një tren është përplasur me një autobus shkollor, duke shkaktuar një aksident të rëndë me pasoja fatale, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të televizionit RTL, duke u bazuar në deklaratat e ministrit të transportit Jean-Luc Crucke, nga aksidenti kanë humbur jetën katër persona: dy adoleshentë, një i rritur dhe shoferi i autobusit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:08 të mëngjesit në një kalim hekurudhor, rreth një kilometër larg stacionit të Buggenhoutit.

Zëdhënësi i operatorit hekurudhor belg Infrabel, Frédéric Sacré, ka deklaruar për agjencinë AFP se përplasja ka qenë “jashtëzakonisht e fortë”, duke e përshkruar bilancin si “tragjik”.

Autoritetet belge kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit, ndërsa zona e ngjarjes është siguruar nga ekipet emergjente. /Albinfo.ch

Zvicra mes vendeve me orët më të gjata të punës në Evropë

Punonjësit në Zvicër kanë regjistruar më shumë se 8 miliardë orë pune gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të reja të Zyrës Federale të Statistikave, përcjell albinfo.ch.

Mesatarja e orarit javor për punonjësit me orar të plotë ka arritur në 40 orë e 3 minuta gjatë vitit të kaluar, duke treguar një nivel të lartë angazhimi në tregun e punës.

Sipas të dhënave, duke përjashtuar personat që mungojnë gjatë gjithë javës së punës, mesatarja në Zvicër rritet në 42 orë e 24 minuta në javë — shifra më e lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

Këto statistika e rendisin Zvicrën ndër vendet me intensitetin më të lartë të punës në Evropë, duke reflektuar një kulturë pune të konsideruar shumë produktive dhe të disiplinuar në nivel ndërkombëtar./Albinfo.ch

Urim për Festën e Kurban-Bajramit nga Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) ka përcjellë urimin tradicional me rastin e Festës së Kurban-Bajramit, duke i drejtuar mesazh besimtarëve shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë për paqe, mirësi dhe bashkim, transmeton albinfo.ch.

Në urimin zyrtar, kryetari i KMSHZ-së, Fehim Abazi, në emër të kryesisë dhe të gjitha qendrave islame shqiptare në Zvicër, ka uruar festën e madhe të Kurban-Bajramit për të gjithë besimtarët.

Ai thekson se Kurban-Bajrami është një nga festat më të rëndësishme në Islam, që lidhet me përmbushjen e Haxhit në Mekë dhe simbolizon përkushtimin shpirtëror ndaj Zotit, duke u bazuar në traditën profetike të Ibrahimit (a.s.).

Në mesazh, Abazi kujton sakrificën dhe besnikërinë e Profetit Ibrahim (a.s.), si dhe mesazhin e kësaj feste për shenjtërinë e jetës njerëzore, paqen dhe mëshirën hyjnore.

“Kjo festë na thërret të jemi zë i paqes, pajtimit dhe solidaritetit,” thuhet në urim, duke theksuar nevojën për ndërtimin e urave të bashkimit, respektit dhe mirëkuptimit mes njerëzve, si dhe refuzimin e urrejtjes dhe përçarjes.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër u ka bërë thirrje besimtarëve që festën ta kalojnë në harmoni dhe gëzim pranë familjeve, duke mos harruar kujdesin për jetimët, të moshuarit, skamnorët dhe të sëmurët.

Në fund të mesazhit, KMSHZ ka uruar paqe, shëndet dhe begati për të gjitha familjet shqiptare, duke përmbyllur urimin me fjalët: “Gëzuar Festën e Kurban-Bajramit! Allahu ju bekoftë të gjithëve! Amin.” /Albinfo.ch