Skip to content

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin

Sot Kurban Bajrami, mijëra besimtarë falin namazin

Sot, besimtarët myslimanë në gjithë botën festojnë Kurban Bajramin, përcjell albinfo.ch.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Namazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 05:40.

Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur të mërkurën, gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, derisa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.

Ai tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.

“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.

Ai bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të zhvillohen me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Ndërsa ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.

“Në këtë fushatë parazgjedhore le të mos ketë vend për gjuhë të urrejtjes, fyerje, lincim, akuza të pabazuara dhe njollosje të njëri-tjetrit me akuza të pavërteta vetëm për një votë. Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut. Le të ketë respekt të mendimit ndryshe… Mbesim me shpresë se pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, që institucionet e vendit të formohen sa më shpejtë dhe të krijohet stabiliteti politik institucional për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen e të rinjve… Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”, tha ai.