Skip to content

Zelensky: SHBA-ja ngriti idenë e tërheqjes nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO

Presidenti ukrainas thotë se çdo propozim gjithëpërfshirës për paqe duhet të përmbajë garanci të forta sigurie dhe t’u paraqitet qytetarëve për vendim.

Negociatorët e administratës së presidentit amerikan Donald Trump kanë ngritur mundësinë që Ukraina të tërhiqet nga pjesët e Donbasit që kontrollon ende, në këmbim të anëtarësimit në NATO. Këtë e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në deklaratat e publikuara sot, përcjell albinfo.ch.

Sipas Zelenskyt, ideja është diskutuar gjatë kontakteve të fundit diplomatike për përfundimin e luftës. Megjithatë, ajo mbetet një mundësi e ngritur në negociata dhe jo një marrëveshje e arritur.

Presidenti ukrainas ka përsëritur se Kievi nuk është i gatshëm të heqë dorë nga territori i tij. Ai ka theksuar se një paketë e mundshme duhet të përfshijë garanci sigurie, mbështetje për një ushtri të fortë ukrainase dhe fonde për rindërtimin.

Nëse një propozim i tillë konkretizohet, Zelensky ka thënë se do t’ua paraqesë qytetarëve ukrainas përmes referendumit.

Çështja mbetet e ndërlikuar edhe për shkak të kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Deri tani nuk është njoftuar një marrëveshje përfundimtare për paqen./Albinfo.ch