Është liruar pronari i lopës që kishte hyrë në oborrin e degës së Gjykatës Themelore në Graçanicë, pasi fillimisht ndaj tij ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përcjell albinfo.ch.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Masa e ndalimit është ndërprerë dhe ai është liruar në procedurë të rregullt.
Ngjarja ka ndodhur më 13 nëntor, kur lopa kishte hyrë në oborrin e gjykatës dhe kishte shkaktuar dëme në gjelbërim. Në deklaratën e dhënë në Polici, gjyqtari i intervistuar i kishte përshkruar dëmet si minimale.
Pronari kishte deklaruar në Polici se lopa i kishte humbur dhe se kjo ishte hera e parë që ajo kishte hyrë në atë oborr.
Pas intervistimit të palëve, ishte urdhëruar ndalimi i tij për 48 orë. Pavarësisht lirimit, procedurat lidhur me rastin do të vazhdojnë, ka bërë të ditur Prokuroria./Albinfo.ch