Skip to content

Dëme nga erërat e fuqishme në Prizren, Rahovec e Suharekë

Më së shumti është dëmtuar shkolla ‘Xhevat Berisha’, në lagjen e Trimave. Për shkak të rrezikut nga shembja e kulmit, drejtoria ka ndërprerë mësimin dhe ka evakuuar nxënësit

Stuhia e sotme ka përfshirë edhe Prizrenin, Rahovecin dhe Suharekën, duke shkaktuar dëme materiale, duke rrëzuar shtylla elektrike e duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa zona. Në Prizren, dëmet më të mëdha janë regjistruar në shkollën ‘Xhevat Berisha’, ku është dëmtuar kulmi, ndërsa nxënësit janë evakuuar për arsye sigurie.

Që nga mbrëmja e 12 nëntorit, erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme në disa pjesë të komunës  së Prizrenit.

Më së shumti është dëmtuar shkolla ‘Xhevat Berisha’, në lagjen e Trimave. Për shkak të rrezikut nga shembja e kulmit, drejtoria ka ndërprerë mësimin dhe ka evakuuar nxënësit.

‘Kemi marrë vendim sipas planit emergjent për evakuimin e nxënësve, me njoftimin e  prindërve. Evakuimi është bërë në orën 11:00, ndërsa për gjendjen e krijuar janë njoftuar KDSH-ja dhe Drejtoria e Arsimit”, tha Mimoza Duraj, drejtoreshë e shkollës

Në terren kanë dalë ekipet emergjente dhe zjarrfikësit, të cilët kanë intervenuar në disa lokacione.

“Prej dje në mbrëmje jemi ballafaquar me erëra të fuqishme në tërë territorin e komunës. Përveç shkollës ‘Xhevat Berisha’, dëme kemi edhe në një shtëpi private në Billushë, si dhe në disa objekte e shtylla elektrike. Bashkë me zjarrfikësit kemi punuar për eliminimin e rrezikut”, Sead Arifi, drejtor i Emergjencave në Prizren.

Ndërkaq, zjarrfikësit kanë intervenuar në disa pika, ku janë rrëzuar kulme dhe shtylla elektrike.

“Kemi intervenuar në fshatin Billushë dhe te shkolla ‘Xhevat Berisha’. Deri më tani kemi rreth 13 shtylla elektrike të drurit të rrëzuara”, Flamur Hoti, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve

Dëme nga erërat janë raportuar edhe në lagjen Arbana dhe fshatrat Nashec, Billushë, Kobaj e zona të tjera. Disa prej tyre kanë mbetur pa energji elektrike për orë të tëra. KEDS-i ka njoftuar se ekipet e tij janë në terren dhe po punojnë me të gjitha kapacitetet për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike. Situatë e ngjashme është raportuar edhe në Rahovec dhe Suharekë.

Dëme nga erërat edhe në Prishtinë

Në Prishtinë janë regjistruar pesë raste intervenimi, kryesisht për dëmtime të kulmeve dhe rrëzimin e drunjve. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë qëndrimit në hapësira të hapura dhe pranë objekteve apo drunjve që mund të rrezikohen nga erërat.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka intervenuar në pesë raste, kryesisht për dëmtime të kulmeve të objekteve dhe rrëzimin e drunjve. Sipas autoriteteve, nuk ka pasur persona të lënduar.

“Në shkollën “Shkëndija” në Hajvali si pasoj e erërave të forta është dëmtuar një pjesë e çatisë, kemi intervenuar dhe kemi riparuar. Në kopshtin “Dielli” në Bregun e Diellit 2 drunj në oborr janë  dëmtuar dhe kemi larguar. Në sheshin “Nëna Terezë” poashtu një dru, në Bregun e Diellit një pjesë e çatisë.  Janë pra disa apo 5 intervenime deri më tani”, tha Lulzim Fushtica, drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Kryeqytet

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë qëndrimit në hapësira të hapura dhe pranë objekteve apo drunjve që mund të rrezikohen nga erërat.

Ndërkohë, sipas të dhënave meteorologjike, erërat më të fuqishme janë regjistruar në Rrafshin e Dukagjinit, ku shpejtësia e tyre ka arritur deri në 60 kilometra në orë.

“Erërat më të fuqishme ka qenë 14.5 metra për sekondë që i bije rreth 60 kilometra në orë. Në meteorologji konsiderohet erë e fort, ka qenë në rrafshin e Dukagjinit kryesisht në Prizren dhe Istog”, Besim Aliu, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

Krahas erërave, për orët e natës parashihen edhe reshje shiu me intensitet mesatar.