Pas frontit të ftohtë që ka përfshirë vendin, fundjava pritet të sjellë ndryshime të motit, me një të shtunë të freskët dhe një të diel më të butë, përcjell albinfo.ch.
Sipas parashikimeve të MeteoSwiss, të shtunën, më 14 nëntor, në shumë zona të ulëta në veri të Alpeve priten mjegull dhe vranësira të ulëta. Mbi shtresën e mjegullës dhe në zonat malore do të ketë më shumë diell.
Temperaturat në zonat e ulëta do të jenë rreth 6 gradë Celsius, ndërsa mëngjesi në disa rajone mund të sjellë temperatura nën zero. Gjatë mbrëmjes, vranësirat do të shtohen nga perëndimi, të pasuara nga reshje gjatë natës.
Të dielën, më 15 nëntor, në disa zona të ulëta dhe në Zvicrën frëngjishtfolëse priten reshje të dobëta në mëngjes. Më pas do të ketë ndërprerje të reshjeve dhe intervale me diell.
Me afrimin e ajrit më të butë dhe forcimin e erës föhn në Alpe, temperaturat do të rriten. Në disa rajone ato mund të arrijnë lokalisht deri në 15 gradë Celsius.