Muzeu i Komunikimit në Bernë hap sot, më 13 nëntor, ekspozitën “CHIPS”, kushtuar mikroçipave dhe ndikimit të tyre në jetën e përditshme, përcjell albinfo.ch.
Ekspozita i fton vizitorët të zbulojnë teknologjinë që fshihet brenda telefonave, furçave elektrike të dhëmbëve dhe satelitëve meteorologjikë. Megjithëse pothuajse të padukshëm, këta komponentë kanë rol thelbësor në funksionimin e botës digjitale.
Përmes një ndërthurjeje të fantazisë me realitetin, muzeu paraqet kompleksitetin e prodhimit të mikroçipave dhe rëndësinë e tyre në marrëdhëniet globale. Në qendër është edhe lidhja gjithnjë e më e ngushtë ndërmjet teknologjisë dhe shoqërisë.
Përmbajtja ofrohet në gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht. Organizatorët e rekomandojnë ekspozitën për vizitorë nga mosha 13 vjeç.
“CHIPS” do të qëndrojë e hapur deri më 18 korrik 2027. Muzeu ndodhet në Helvetiastrasse 16 dhe është i hapur nga e marta deri të dielën, nga ora 10:00 deri në 17:00./Albinfo.ch