Në qytetin Buggenhout në Belgjikë, një tren është përplasur me një autobus shkollor, duke shkaktuar një aksident të rëndë me pasoja fatale, përcjell albinfo.ch.
Sipas raportimeve të televizionit RTL, duke u bazuar në deklaratat e ministrit të transportit Jean-Luc Crucke, nga aksidenti kanë humbur jetën katër persona: dy adoleshentë, një i rritur dhe shoferi i autobusit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:08 të mëngjesit në një kalim hekurudhor, rreth një kilometër larg stacionit të Buggenhoutit.
Zëdhënësi i operatorit hekurudhor belg Infrabel, Frédéric Sacré, ka deklaruar për agjencinë AFP se përplasja ka qenë “jashtëzakonisht e fortë”, duke e përshkruar bilancin si “tragjik”.
Autoritetet belge kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit, ndërsa zona e ngjarjes është siguruar nga ekipet emergjente. /Albinfo.ch