Lajme
Fehim Abazi: “Kurban Bajrami na kujton përgjegjësinë ndaj familjes, shoqërisë dhe njëri-tjetrit”
Sipas tij, bashkëpunimi mes familjes, imamëve dhe institucioneve është i domosdoshëm për edukimin e brezave të rinj
Në prag të festës së Kurban Bajramit, kryetari i ri i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Fehim Abazi, në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, flet për domethënien e kësaj feste, për ruajtjen e vlerave brenda diasporës shqiptare dhe për prioritetet e tij në drejtimin e komunitetit.
Ai thotë se Kurban Bajrami mbetet një ndër festat që i rikthen njerëzit tek kujdesi për tjetrin, solidariteti dhe lidhja me familjen: “Në prag të festës së Kurban Bajramit, dëshiroj t’ua përcjell urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë në Zvicër dhe kudo që ndodhen. Kjo festë e madhe na kujton vlerat më të larta njerëzore dhe fetare: besimin, sakrificën, përkushtimin dhe afërsinë me Allahun xh.sh.”
Sipas kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Fehim Abazi sfidat që po kalon sot shoqëria kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe afërsi njerëzore: “Sot bota po përballet me shumë sfida, pasiguri shpirtërore, tensione sociale, luftëra, varfëri dhe mungesë solidariteti. Në një kohë të tillë, Kurban Bajrami na fton të rikthehemi tek vlerat e mëshirës, paqes, respektit dhe kujdesit për njëri-tjetrin. Është një festë që na mëson se besimi nuk është vetëm ritual, por përgjegjësi ndaj familjes, shoqërisë dhe njerëzimit.”
Në mesazhin e tij kryetari i KMShZ-së drejtuar shqiptarëve në Zvicër, ai kërkon ruajtjen e lidhjes me gjuhën, kulturën dhe komunitetin: “Mesazhi im për bashkatdhetarët tanë është që ta ruajmë unitetin, dashurinë dhe lidhjen me fenë, gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare. Le të jetë kjo festë një mundësi për pajtim, afrim dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore.”
Një pjesë e rëndësishme e intervistës lidhet edhe me rolin e gjeneratës së re shqiptare në diasporë, kryetari i Fehim Abazi thotë se ruajtja e traditave dhe edukimit fetar kërkon angazhim të vazhdueshëm: “Diaspora shqiptare në Zvicër ka ruajtur me shumë përkushtim traditat fetare dhe kombëtare, por sfidat e kohës kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, sidomos për edukimin e gjeneratave të reja.”
Ai thekson se të rinjtë duhet të përfshihen më shumë në jetën e komunitetit dhe aktivitetet humanitare: “Fryma e Kurban Bajramit ruhet duke kultivuar solidaritetin, humanizmin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit. Ne duhet t’i afrojmë të rinjtë më shumë me xhaminë, me edukimin fetar dhe me aktivitetet kulturore e humanitare, në mënyrë që ata ta kuptojnë fenë si burim morali, identiteti dhe shprese.”
Sipas tij, bashkëpunimi mes familjes, imamëve dhe institucioneve është i domosdoshëm për edukimin e brezave të rinj: “Është shumë e rëndësishme që familja, imamët dhe institucionet tona të punojnë së bashku për t’i edukuar të rinjtë me ndjenjën e respektit, mirësisë dhe përgjegjësisë sociale. Kur të rinjtë angazhohen në aktivitete bamirësie, ndihmë për nevojtarët dhe jetën në komunitet, atëherë fryma e Bajramit bëhet pjesë e jetës së tyre të përditshme.”
Duke folur për përgjegjësinë e re në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, ai thotë se prioritet do të jetë forcimi i organizimit dhe bashkëpunimit brenda komunitetit: “Është një përgjegjësi dhe amanet i madh të udhëheqësh Komunitetin Mysliman Shqiptar në Zvicër. Prioriteti ynë do të jetë forcimi i unitetit dhe organizimit institucional të komunitetit tonë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes xhamive, imamëve dhe besimtarëve.”
Ai shton se fokusi do të jetë edhe edukimi i gjeneratës së re dhe ruajtja e identitetit fetar e kulturor të shqiptarëve në Zvicër: “Një ndër fokuset kryesore do të jetë edukimi fetar dhe kombëtar i gjeneratës së re, ruajtja e identitetit tonë fetar e kulturor, si dhe avancimi i rolit të komunitetit në jetën shoqërore të shqiptarëve në Zvicër.”
Në fund të intervistës për albinfo.ch, Fehim Abazi rendit edhe prioritetet konkrete të punës së tij: “Po ashtu, do të punojmë në: forcimin e transparencës dhe komunikimit me besimtarët; mbështetjen e aktiviteteve edukative, kulturore dhe humanitare; përfaqësimin dinjitoz të komunitetit tonë në institucionet zvicerane; promovimin e vlerave të paqes, dialogut dhe bashkëjetesës.”
Ai e përmbyll intervistën me urimin për besimtarët myslimanë shqiptarë: “Ne dëshirojmë që komuniteti ynë të jetë një derë e hapur për të gjithë shqiptarët myslimanë në Zvicër, një vend ku ruhet feja, kultura, gjuha dhe fryma e solidaritetit. Me këtë rast, të gjithë besimtarëve u uroj: Gëzuar Kurban Bajramin! Allahu i pranoftë ibadetet, kurbanet dhe lutjet tona!”
Për albinfo.ch Luljeta Ademi.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Mbrëmje kulturore në zemër të Frankfurtit Një mbrëmje kulture, arti dhe humori në zemër të Frankfurtit! “4 në 1” nga Varg e... -
Urim për Festën e Kurban-Bajramit nga Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër -
Gjermani
Shqiptarja e parë që u prezantua në kopertinën e “Deutsche Dermatologie” rifiton shtetësinë e Kosovës -
Osmani: Diaspora më e angazhuar për Kosovën se për vendet ku jeton -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”













