Urim për Festën e Kurban-Bajramit nga Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) ka përcjellë urimin tradicional me rastin e Festës së Kurban-Bajramit, duke i drejtuar mesazh besimtarëve shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë për paqe, mirësi dhe bashkim, transmeton albinfo.ch.

Në urimin zyrtar, kryetari i KMSHZ-së, Fehim Abazi, në emër të kryesisë dhe të gjitha qendrave islame shqiptare në Zvicër, ka uruar festën e madhe të Kurban-Bajramit për të gjithë besimtarët.

Ai thekson se Kurban-Bajrami është një nga festat më të rëndësishme në Islam, që lidhet me përmbushjen e Haxhit në Mekë dhe simbolizon përkushtimin shpirtëror ndaj Zotit, duke u bazuar në traditën profetike të Ibrahimit (a.s.).

Në mesazh, Abazi kujton sakrificën dhe besnikërinë e Profetit Ibrahim (a.s.), si dhe mesazhin e kësaj feste për shenjtërinë e jetës njerëzore, paqen dhe mëshirën hyjnore.

“Kjo festë na thërret të jemi zë i paqes, pajtimit dhe solidaritetit,” thuhet në urim, duke theksuar nevojën për ndërtimin e urave të bashkimit, respektit dhe mirëkuptimit mes njerëzve, si dhe refuzimin e urrejtjes dhe përçarjes.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër u ka bërë thirrje besimtarëve që festën ta kalojnë në harmoni dhe gëzim pranë familjeve, duke mos harruar kujdesin për jetimët, të moshuarit, skamnorët dhe të sëmurët.

Në fund të mesazhit, KMSHZ ka uruar paqe, shëndet dhe begati për të gjitha familjet shqiptare, duke përmbyllur urimin me fjalët: “Gëzuar Festën e Kurban-Bajramit! Allahu ju bekoftë të gjithëve! Amin.” /Albinfo.ch

Kosovë: KQZ lehtëson procedurat e regjistrimit të votuesve mbi 80 vjeç

Kosovë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të lehtësojë procesin e votimit për qytetarët mbi 80 vjeç, duke u mundësuar regjistrimin përmes platformës elektronike për votim me ekipe mobile në ditën e zgjedhjeve, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ky proces po zhvillohet në kuadër të regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta, të cilët për arsye shëndetësore, fizike apo rrethana të tjera ligjore nuk mund të paraqiten në vendvotime.

Sipas tij, nga kjo praktikë përfitojnë edhe personat mbi 80 vjeç, të cilët tashmë nuk kanë nevojë të paraqesin certifikata mjekësore apo dokumente të paaftësisë, siç kërkohej më herët. Mjafton dokumenti i identifikimit dhe fotografia e votuesit.

KQZ ka bërë të ditur se kjo risi është aplikuar që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të dhjetorit 2025 dhe ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe lehtësimin e procesit për qytetarët që nuk mund të lëvizin.

Sipas të dhënave zyrtare, nga rreth 1,959,962 votues brenda vendit, afërsisht 54 mijë janë mbi moshën 80 vjeç.

Për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, KQZ ka hapur periudhën e regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta nga 22 maji deri më 31 maj 2026. Për votuesit në institucione, afati zgjat deri më 1 qershor 2026.

Këtu përfshihen personat në spitale, shtëpi të të moshuarve, institucione të shëndetit mendor, të burgosur dhe persona në paraburgim, të cilët do të mund të votojnë përmes ekipeve mobile që do të shpërndahen në çdo komunë të Kosovës në ditën e zgjedhjeve.

Për regjistrim është funksionalizuar edhe platforma elektronike e KQZ-së, e cila mundëson aplikimin online ose përmes komisioneve komunale të zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, qëllimi i këtyre masave është garantimi i të drejtës së votës për të gjithë qytetarët, pavarësisht gjendjes shëndetësore apo rrethanave të veçanta.

Të huajt do të paguajnë dyfish për hyrjen në një pishinë publike në Zvicër

Komuna e Porrentruy në kantonin Jura ka vendosur që nga vera e vitit 2026 të aplikojë tarifa dyfish më të larta për personat që nuk jetojnë apo nuk punojnë në Zvicër, veçanërisht për vizitorët nga Franca, përcjell albinfo.ch.

Vendimi vjen një vit pasi autoritetet lokale ndaluan përkohësisht hyrjen e qytetarëve nga Franca në pishinën komunale, pas ankesave për sjellje problematike dhe incidente të përsëritura.

Banorët lokalë kishin akuzuar disa të rinj francezë për ngacmim të vajzave të reja, përdorim të gjuhës së papërshtatshme, larje me të brendshme dhe madje sjellje të dhunshme pas vërejtjeve nga stafi i sigurisë.

Sipas rregullave të reja, të rriturit që nuk banojnë apo punojnë në Zvicër do të paguajnë 15 franga për hyrje në pishinë, në vend të 7.50 frangave. Ndërsa për të rinjtë tarifa do të jetë 10 franga në vend të 5 frangave.

Autoritetet lokale argumentojnë se masa synon të garantojë siguri dhe qetësi për vizitorët, ndërsa vendimi ka nxitur reagime dhe debat në opinionin publik./Albinfo.ch

Mbi 200 milionë euro në ekonomi, frymëmarrje sociale apo inflacion i ri?

Sipas të dhënave të publikuara për inflacionin në Ballkan gjatë prillit 2026, Kosova renditet me normën më të lartë të rritjes së kostos së jetesës, rreth 7.5%.

Kjo do të thotë se qytetarët po paguajnë më shumë për ushqim, energji, qira, transport dhe shërbime bazë krahasuar me një vit më parë.

Në një situatë të tillë ekonomike, paralajmërimi i qeverisë për shpërndarjen e një pakoje sociale prej mbi 200 milionë eurosh hap një debat ekonomik.

Dilema profesionale është nëse do t’i ndihmojë qytetarët, apo do ta shtyjë inflacionin edhe më lart?

Në aspektin social, një pako e tillë mund të jetë lehtësim afatshkurtër për shumë familje, pensionistë, kategori sociale dhe punëtorë me paga të ulëta.

Kur fuqia blerëse bie dhe çmimet rriten vazhdimisht, ndërhyrja e shtetit shihet si mënyrë për të zbutur goditjen ekonomike.

Shumë qytetarë sot mezi arrijnë të përballojnë shportën bazike mujore, prandaj çdo mbështetje financiare krijon frymëmarrje të përkohshme.

Por, nga ana ekonomike e profesionale, ekziston edhe rreziku real që injektimi i mbi 200 milionë eurove në treg të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimeve, sidomos nëse ekonomia nuk ka rritje të prodhimit vendor, dhe bazuar po ashtu mbi të dhënat, prodhimi vendas nuk është në kohën më të mirë të tij.

Prandaj, kur në treg futen shumë para, ndërsa oferta e mallrave mbetet pothuajse e njëjtë, zakonisht rritet kërkesa dhe bizneset fillojnë të rrisin çmimet.

Kjo është një nga format klasike të presionit inflacionist.

Kosova ka një ekonomi që mbështetet kryesisht në importe.

Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e parave të pakos sociale mund të përfundojë duke rritur konsumin e produkteve të importuara, pa krijuar prodhim të ri brenda vendit.

Në këtë rast, efekti mund të jetë më shumë para në qarkullim, por jo më shumë mallra vendore dhe si pasojë, çmime më të larta.

Pra, pakoja sociale mund të ndihmojë qytetarët në afat të shkurtër, por njëkohësisht mund të krijojë presion shtesë mbi inflacionin nëse ekonomia nuk arrin ta absorbojë atë përmes prodhimit dhe ofertës reale në treg.

Sfida kryesore nuk është vetëm shpërndarja e parave, por mënyra se si ato hyjnë në ekonomi dhe çfarë efekti krijojnë më pas.

Nga aspekti profesional, paratë që shpërndahen nga qeveria nën siglën “antiinflacion”, ka efektin bumerang, dhe me të drejtë konsiderohet si veprim me ndikim në zgjedhje!

Ose, po harrojmë se gjendja e jashtëzakonshme covid19 ka përfunduar!

Shqiptarja e parë që u prezantua në kopertinën e “Deutsche Dermatologie” rifiton shtetësinë e Kosovës

Dr. Merita Hajdini-Zeqiri, dermatologe e njohur shqiptare që jeton dhe vepron në Bonn, ka ri-fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Düsseldorf, transmeton albinfo.ch.

Vendimi për ri-fitimin e shtetësisë iu dorëzua nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Düsseldorf, Behar Isma, i cili vlerësoi kontributin dhe sukseset profesionale të saj në Gjermani.

Dr. Hajdini-Zeqiri konsiderohet një ndër emrat e suksesshëm shqiptarë në fushën e dermatologjisë në Gjermani. Ajo ka shënuar një arritje të veçantë duke u bërë gruaja e parë shqiptare në Gjermani që është prezantuar në faqen e parë të revistës profesionale Deutsche Dermatologie, një vlerësim që pasqyron përkushtimin dhe suksesin e saj profesional.

Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e lidhjes së diasporës me vendin e origjinës, ndërsa ri-fitimi i shtetësisë u cilësua si dëshmi e ruajtjes së identitetit dhe lidhjeve të forta me Kosovën.

Konsullata e Kosovës në Düsseldorf falënderoi Dr. Merita Hajdini-Zeqiri për vizitën dhe i uroi asaj suksese të mëtejshme në jetën profesionale dhe personale./Albinfo.ch

 

Suedia drejt një epoke pa duhan: më pak se 5% e popullsisë pinë cigare

Suedia ka arritur një nga objektivat më të rëndësishëm të shëndetit publik, duke ulur numrin e duhanpirësve në më pak se 5% të popullsisë. Me këtë nivel të ulët, vendi konsiderohet praktikisht “pa duhan”.

Këshilli Suedez për Informacion mbi Alkoolin dhe Drogat konfirmoi se objektivi i vendosur për vitin 2025 është përmbushur me sukses.

Në fillim të viteve 1980, mbi 30% e suedezëve pinin duhan çdo ditë, ndërsa sot kjo shifër është ulur ndjeshëm falë politikave të vazhdueshme të shëndetit publik dhe ndryshimeve në sjelljen sociale.

Autoritetet theksojnë se Suedia tashmë renditet ndër vendet me normat më të ulëta të duhanpirjes në Evropë. Ekspertët e shëndetit publik e konsiderojnë këtë një sukses të madh në luftën kundër sëmundjeve të lidhura me duhanin.

Foda surprizon me listën e re për miqësoret ndaj Çekisë dhe Andorrës

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore ndaj Çekisë, që do të luhet më 31 maj, dhe Andorrës, më 7 qershor.

Në këtë grumbullim mungojnë disa prej titullarëve të rregullt të “Dardanëve”, ndërsa Foda ka zgjedhur t’u japë hapësirë futbollistëve të rinj, si dhe disa lojtarëve që nuk kanë qenë për një kohë pjesë e Kombëtares.

Osmani: Diaspora më e angazhuar për Kosovën se për vendet ku jeton

Aktivisti politik nga diaspora, Osman Osmani, ka vlerësuar se interesimi i mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë është shumë i lartë dhe mund të ketë ndikim të dukshëm, por jo vendimtar në rezultatin final.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai tha se bashkatdhetarët po tregojnë më shumë angazhim për jetën politike dhe shoqërore në Kosovë sesa në vendet ku jetojnë.

Sipas tij, një pjesë e diasporës është e gatshme të marrë pjesë në votime, por shpesh mungon një përfshirje më e strukturuar nga partitë politike në Kosovë, si dhe oferta konkrete për profesionistët e mërgatës.

Osmani kritikoi gjithashtu diskursin politik gjatë aktiviteteve në diasporë, duke theksuar se shpesh mungojnë propozime të qarta për nevojat reale të qytetarëve jashtë vendit. Ai përmendi si shembull kërkesat praktike të mërgimtarëve, si përmirësimi i kushteve gjatë pritjeve të gjata në kufi, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit, për votim në zgjedhjet e 7 qershorit janë regjistruar 131 mijë e 901 qytetarë nga diaspora. Prej tyre, mbi 25 mijë pritet të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës më 6 qershor, ndërsa pjesa tjetër me postë.

Posted in Uncategorized

Promovohet në Zürich libri “Arti Konceptual në Kosovë 2000–2025”

Dje, në ambientet e Pestalozzi Bibliothek në Zürich, u promovua libri “Arti Konceptual në Kosovë 2000–2025” nga Prof. Dr. Ilir Muharremi, një botim i rëndësishëm që trajton zhvillimin, historinë dhe ndikimin e artit konceptual në Kosovë gjatë periudhës 2000–2025.

Ky promovim mblodhi artistë, studiues, dashamirë të artit dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke krijuar një atmosferë të veçantë kulturore dhe artistike. Libri sjell për herë të parë një dokumentim të gjerë dhe të strukturuar të artit konceptual në Kosovë, duke përfshirë artistë, projekte, ekspozita dhe zhvillime të rëndësishme të skenës bashkëkohore.

Për librin foli artisti me famë botërore Sislej Xhafa, i cili e cilësoi botimin si “libri i parë dhe më i veçantë për artin konceptual në Kosovë”. Ai theksoi se kjo është një arritje shumë e rëndësishme e autorit dhe se libri do të shërbejë si referencë kryesore për artin konceptual në Kosovë dhe për studiuesit e artit bashkëkohor shqiptar.

Autori i librit, Prof. Dr. Ilir Muharremi, u shpreh:

“Kënaqësi e veçantë të prezantoj librin tim para publikut të Cyrihut. Deri para botimit të këtij libri, materialet për artistët kanë qenë të shpërndara nëpër katalogë. Tashmë i kemi të përmbledhura në një libër.”

Paneli u udhëhoq nga artisti Kushtrim Syljemani, i cili lexoi biografinë e autorit dhe foli për rëndësinë e librit në dokumentimin dhe studimin e artit bashkëkohor në Kosovë.

Pas promovimit u zhvillua edhe një debat dhe bashkëbisedim me publikun, ku të pranishmit parashtruan pyetje për Sislej Xhafën dhe Prof. Dr. Ilir Muharremin lidhur me zhvillimin e artit konceptual, sfidat e artistëve në Kosovë, si dhe rëndësinë e dokumentimit të artit bashkëkohor shqiptar. Diskutimi u përcoll me interes të madh nga publiku dhe krijoi një dialog të hapur artistik e kulturor.

Badi Pruntrut: Të huajve u lejohet hyrja, për dyfishin e çmimit

Badi Pruntrut i nxehu mendjet verën e kaluar. Pas incidenteve me larësit francezë, vendosi një ndalim hyrjeje për të huajt. Badi ishte i rezervuar për njerëzit që jetojnë ose punojnë në Zvicër – dhe kështu bëri bujë ndërkombëtare.

Të shtunën e kaluar, sezoni i Badi në komunitetin Jurasik filloi përsëri. Tani ekziston një sistem i ri çmimesh për të cilin duhet të flitet.

Jo-rezidentët tani paguajnë dyfishin e banorëve: Për të rriturit është 15 në vend të 7.50 frangave dhe për të rinjtë 10 në vend të 5 frangave. Për më tepër, ata mund ta blejnë biletën e tyre vetëm në internet dhe nuk kanë të drejtë për një biletë sezonale, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Qasja duhet të kufizohet

Në fakt, bashkia dëshiron ta mbajë të hapur mundësinë e masave të mëtejshme. Në mars, ajo miratoi rregullore të reja – të cilat duhet të jenë në gjendje të kufizojnë përkohësisht hyrjen për grupe të caktuara në rast të trafikut të rënduar ose nevojave të rritura të sigurisë.

Megjithatë, u morën kundërshtime kundër kësaj. Prandaj, rregulloret e miratuara ende nuk mund të hyjnë në fuqi. “Është legjitime që një temë kaq e ndjeshme të shkaktojë reagime”, tha kryetari i bashkisë së Pruntrut, Philippe Eggertswyler (57), në një intervistë me “24 heures”. Megjithatë, bashkia ka përgjegjësinë të ofrojë përgjigje konkrete për problemet.

Eggertswyler ende nuk mund të japë një datë për datën e mundshme të fillimit të rregullores së re. Këshilli bashkiak, pra qeveria e bashkisë, do të marrë pjesë në procedurën e arbitrazhit, pas së cilës dosja do t’u dërgohet autoriteteve kompetente. Megjithatë, Eggertswyler thekson: “Nëse është e nevojshme, ne do të marrim masat e nevojshme.”

Vitin e kaluar, edhe Komisioni Federal kundër Racizmit (EKR) kishte folur, siç raportoi Blick. “Një ndalim i përgjithshëm i larjes për të huajt është problematik dhe irritues”, thotë EKR. “Bashkia duhet të kontrollojë nëse ndalimi me tarifë fikse është vërtet proporcional dhe nëse nuk ka masa më pak drastike, siç janë ndalimet individuale të larjes për njerëzit që nuk i përmbahen vazhdimisht rregullave.”

“E mora seriozisht kritikën”, thotë Eggertswyler. “Kur shprehet një rast i tillë, duhet ta dëgjosh dhe ta vësh në pikëpyetje veten.” Megjithatë, kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk veprojnë më, por që komuniteti i siguron më mirë vendimet e tij ligjërisht dhe politikisht. Ky është pikërisht qëllimi i rregullores së re.

Mashtronin shqiptarët dhe u merrnin paratë, arrestohet një francez, një gjerman në kërkim

Përmes operacionit policor të koduar “Posta e Rreme 2”, është goditur një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare.

Strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Shqipëri, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik, finalizoi operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare, transmeton albinfo.ch.

Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale teksa gjatë operacionit u sekuestruan celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.

Kërkoheshin nga SPAK-u, arrestohen në Dubai pesë shqiptarë

Në kuadër të kapjes dhe ekstradimit të shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Interpol Tirana ka vijuar operacionin e koduar “The Wanted”.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit me autoritetet homologe në Abu Dhabi, janë lokalizuar dhe arrestuar në Dubai pesë shtetas shqiptarë, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë teksa sipas njoftimit zyrtar, katër prej të arrestuarve, konkretisht shtetasit me iniciale K. Q., 44 vjeç, Sh. K., 44 vjeç, I. L., 30 vjeç dhe A. P., 38 vjeç, dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe kërkoheshin nga SPAK, transmeton albinfo.ch.

Ndërkaq, shtetasi M. C., 34 vjeç, dyshohet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit kompjuterik.

Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë vijon edhe për verifikimin e një tjetër shtetasi shqiptar që ndodhet në Dubai, i cili dyshohet se përdor dokumente false.

Interpol Tirana po punon për përfundimin e procedurave të ekstradimit të pesë të arrestuarve drejt Shqipërisë.

Shtesat ushqimore mund të rrisin rrezikun e diabetit dhe kancerit

Ngjyruesit dhe konservuesit e ushqimit rrisin rrezikun e sëmundjeve kronike, sipas tre studimeve franceze që përfshijnë më shumë se 100,000 njerëz. Rezultatet tregojnë lidhje me diabetin, disa lloje kanceri dhe sëmundje kardiovaskulare.

Për shembull, të dhënat tregojnë një rritje prej 38% të rrezikut të diabetit të tipit 2 midis njerëzve që konsumojnë më shumë ngjyrues krahasuar me ata që konsumojnë më pak.

Lidhur me kancerin, studiuesit vërejnë një rritje mesatare prej 14% të rrezikut të të gjitha llojeve të kancerit të kombinuar dhe për të gjitha aditivët e studiuar. Në detaje, disa substanca kanë lidhje më të theksuara. Beta-karoteni, për shembull, thuhet se shoqërohet me një rritje prej 40% të rrezikut të kancerit të gjirit.

Produkte të konsumuara në mënyrë të përsëritur

Për ekipet kërkimore të epidemiologjisë ushqyese të Inserm, ekspozimi ndaj aditivëve është veçanërisht i përhapur në ushqimin industrial.

“Ka më shumë se 139,000 produkte që përmbajnë të paktën një ngjyrues, më shumë se 700,000 që përmbajnë të paktën një konservues. Pra, mund të jenë salca, ëmbëlsira, ushqime të përgatitura, kos me aromë. Mund t’i gjejmë në shumë produkte të ndryshme që konsumohen përgjithësisht në mënyrë të përsëritur”, thotë Mathilde Touvier, e cila drejton ekipin e kërkimit, të enjten për RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas saj, përsëritja e këtyre ekspozimeve përmes produkteve ultra të përpunuara mund të luajë një rol në shfaqjen e patologjive afatgjata.

Aditivët që konsiderohen pjesërisht të shmangshëm

Studiuesit gjithashtu theksojnë natyrën shpesh jo-thelbësore të disa aditivëve, duke përfshirë ngjyruesit.

“Këto janë aditivë thjesht kozmetikë. Ato përdoren vetëm për t’i bërë produktet më të bukura, më tërheqëse dhe për të lehtësuar shitjen. Prandaj mund të pyesim veten pse këto aditivë janë ende në treg, kur ka alternativa pa ngjyrues.

Ekipi i kërkimit mbështet një përmendje më të saktë në etiketë. Por edhe politikat tatimore dhe rregulloret e reklamave për të penalizuar produktet ultra të përpunuara.

Udhëtarët përballen me trafik të ngarkuar dhe radhë në aeroporte në Zvicër

Udhëtarët të hënën e Pashkëve shkaktuan trafik të rënduar në rrugë dhe në aeroporte. Bllokime trafiku u formuan në tunelin Gotthard të hënën dhe gjithashtu pati një numër të madh pasagjerësh në aeroporte.

Rreth 84,300 pasagjerë udhëtuan përmes Aeroportit Basel-Mulhouse gjatë fundjavës së gjatë të Pashkëve. Pritet që 34,000 persona të tjerë të udhëtojnë të hënën e Pashkëve, njoftoi aeroporti të hënën në përgjigje të një kërkese nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA. Ky është një vlerësim, sipas ekipit të komunikimit të EuroAirport Basel-Mulhouse, transmeton albinfo.ch.

Të hënën, Aeroporti i Gjenevës parashikoi një vëllim prej rreth 210,000 udhëtarësh gjatë gjithë fundjavës së Pashkëve.

Përpara portalit jugor të Gotthard, trafiku i kthimit në drejtim të veriut u bllokua për tre kilometra të hënën pasdite. Kjo çoi në një kohë pritjeje deri në 30 minuta. Në drejtimin e kundërt, bllokimi i trafikut ishte një kilometër i gjatë me një humbje kohe deri në dhjetë minuta.

Zvicra drejt 10 milionë banorëve? Kriza e banesave po thellohet

Zvicra po përballet me një krizë gjithnjë e më të madhe të banesave, ndërsa popullsia e vendit po i afrohet shifrës prej 10 milionë banorësh. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e apartamenteve dhe rritja e qirave po bëhen problem serioz në shumë qytete.

Sipas analizës së publikuar nga media zvicerane “20 Minuten”, një nga zgjidhjet kryesore konsiderohet “densifikimi i planifikuar”, pra ndërtimi më intensiv në zonat urbane ekzistuese, në vend të zgjerimit të pakontrolluar të qyteteve, transmeton albinfo.ch.

Specialistët e urbanizmit thonë se Zvicra ka nevojë për më shumë ndërtesa banimi dhe shfrytëzim më efikas të hapësirave, pasi kërkesa për banesa po rritet më shpejt sesa oferta.

Ndërkohë, qytetarët po përballen me çmime rekord të qirave dhe vështirësi për të gjetur apartamente të lira, sidomos në qendrat e mëdha urbane si Cyrihu dhe Gjeneva.

Ekspertët paralajmërojnë se pa reforma më të shpejta në ndërtim dhe planifikim urban, kriza e banesave mund të përkeqësohet edhe më shumë në vitet e ardhshme.

 

 

Korrupsioni: Ku renditen shqiptarët në Evropë

Pas viteve ’90, kultura e ryshfetit në Shqipëri u bë një dukuri e zakonshme. Perceptimi ishte që nëse nuk paguan nuk mbaron asnjë punë në administratë, nuk të shërbehet në spitale, apo në institucione të tjera.

Ndonëse vitet e fundit shumë shërbime janë online, të dhënat e fundit të Eurostat treguan se veprat penale të regjistruara për dhënie ryshfeti në Shqipëri për vitin 2024 mbeten të larta në raport me popullsinë, raporton monitor, transmeton albinfo.ch.

Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 261 procedime penale për ryshfet, ose 10.9 procedime për 100 mijë banorë. Me këtë nivel, shqiptarët renditen të dytët në Evropë për dhënie ryshfeti në raport me popullsisë, pas Hungarisë, që ka një rekord prej 39 procedime për 100 mijë banorë.

Hungaria kryeson dukshëm renditjen, me 38.99 procedime për 100 mijë banorë, një nivel shumë më i lartë se të gjitha vendet e tjera. Hungaria është përballur prej vitesh me kritika ndërkombëtare për korrupsionin dhe dobësitë në zbatimin e masave kundër ryshfetit.

OECD ka shprehur shqetësim për nivelin e ulët të zbatimit të ligjit ndaj ryshfetit ndërkombëtar në Hungari dhe për mungesën e progresit në rekomandimet e mëparshme. Megjithatë, Eurostat thekson se të dhënat për veprat penale të regjistruara nga policia duhet të interpretohen me kujdes, pasi ato ndikohen nga ndryshimet në legjislacion, mënyrat e regjistrimit, praktikat e raportimit dhe intensiteti i zbatimit të ligjit në secilin vend.

Në rastin e Hungarisë, niveli i lartë mund të lidhet edhe me mënyrën se si autoritetet regjistrojnë rastet e ryshfetit dhe me fokusin më të madh të organeve ligjzbatuese te kjo kategori veprash.

Në rastin e Shqipërisë, niveli i lartë i procedimeve për ryshfet lidhet me një kombinim faktorësh: prani të fortë të korrupsionit të vogël në shërbimet publike, kulturë të gjatë informaliteti dhe rritje të fokusit të institucioneve ligjzbatuese te veprat e korrupsionit.

Komisioni Evropian ka theksuar se korrupsioni mbetet një fushë serioze shqetësimi për Shqipërinë, pavarësisht progresit të reformës në drejtësi dhe rolit në rritje të SPAK në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Edhe të dhënat e Transparency International tregojnë se perceptimi për korrupsionin në sektorin publik mbetet problematik.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2024, Shqipëria mori 42 pikë nga 100 dhe u rendit e 80-ta globalisht, çka e vendos ende larg vendeve të Evropës Perëndimore. Një studim i mëparshëm i UNODC dhe INSTAT për korrupsionin në Shqipëri tregonte se ryshfeti shihej nga shumë qytetarë si praktikë e zakonshme, ndërsa më pak se 1% e atyre që përballeshin me ryshfet e raportonin rastin.

Në Shqipëri, që nga 2016-a kur raportohen të dhënat, numri më i lartë i procedimeve u shënua në vitin 2022 me 495 të tilla.

Në rajon, Shqipëria qëndron ndjeshëm më lart se vendet e tjera. Mali i Zi ka 4.01 procedime për 100 mijë banorë, Kosova 2.24, Serbia 1.83, Maqedonia e Veriut 1.2, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk shfaqet në këtë grafik për këtë kategori. Diferenca e madhe e Shqipërisë me vendet fqinje tregon se ryshfeti mbetet një fenomen i pranishëm në marrëdhënien mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike.

Në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, procedimet për ryshfet janë shumë më të ulëta në raport me popullsinë. Italia ka 0.52 procedime për 100 mijë banorë, Portugalia 0.48, Zvicra 0.41, Danimarka 0.32 dhe Spanja vetëm 0.18. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se korrupsioni mungon, por tregon se ryshfeti i drejtpërdrejtë në shërbime të përditshme është më pak i përhapur ose më pak i regjistruar si vepër penale.

Në këto vende, korrupsioni shpesh shfaqet në forma më të sofistikuara, si konflikt interesi, ndikim në tenderë, lobim i pandershëm apo favorizim në kontrata publike. Ndërsa në vendet me institucione më të dobëta, ryshfeti mbetet më i prekshëm për qytetarin e zakonshëm, në shërbime administrative, shëndetësi, polici, arsim apo marrëdhënie me pushtetin vendor.

Zvicra po rritet më shpejt se pjesa më e madhe e Evropës

Debati për migracionin dhe rritjen e popullsisë në Zvicër po intensifikohet, ndërsa vendi po përballet me një nga ritmet më të larta të rritjes demografike në Evropë.

Sipas analizave të fundit, Zvicra është ndër shtetet që vazhdon të fitojë banorë, në një kohë kur shumë vende evropiane po përballen me plakje të popullsisë dhe rënie demografike, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, Zvicra ka rreth 9.1 milionë banorë dhe parashikimet zyrtare tregojnë se deri në vitin 2050 popullsia mund të arrijë mbi 10 milionë. Rritja po nxitet kryesisht nga migracioni i fuqisë punëtore, sidomos nga vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo situatë ka hapur debat të madh politik në vend. Mbështetësit e iniciativës “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë” argumentojnë se infrastruktura, tregu i banesave dhe trafiku janë nën presion të madh. Nga ana tjetër, kundërshtarët paralajmërojnë se ekonomia zvicerane varet ndjeshëm nga punëtorët e huaj dhe kufizimet e ashpra mund të shkaktojnë mungesë të fuqisë punëtore.

Në nivel evropian, Zvicra renditet mes vendeve me rritjen më të shpejtë të popullsisë, krahas shteteve si Irlanda, Luksemburgu dhe Holanda, ndërsa shumë vende të Evropës Lindore dhe Jugore po humbin banorë për shkak të emigrimit dhe lindshmërisë së ulët.

Debati për “10 milionë banorë” në Zvicër: Kush po emigron realisht?

Debati politik në Zvicër rreth kufirit prej 10 milionë banorësh është rikthyer në qendër të vëmendjes, ndërsa partitë konservatore kërkojnë masa më të ashpra ndaj migracionit. Por statistikat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurve nuk janë azilkërkues, por punëtorë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), gjatë vitit 2024 në Zvicër kanë emigruar mbi 89 mijë persona për arsye pune, ndërsa rreth 95% e tyre vinin nga vendet e BE/EFTA. Ndërkohë, bashkimi familjar përbën kategorinë e dytë më të madhe të migracionit, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën kohë, migracioni neto në Zvicër ka shënuar rënie krahasuar me vitin paraprak, duke zbritur në rreth 83 mijë persona.

Nisma “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”, e cila pritet të diskutohet në referendum, synon të vendosë kufizime më të forta nëse popullsia kalon pragun prej 9.5 milionë banorësh. Kritikët paralajmërojnë se masa të tilla mund të ndikojnë negativisht në tregun e punës dhe ekonominë zvicerane, e cila varet ndjeshëm nga fuqia punëtore e huaj.

Europa po shqyrton “Plan B” për mbrojtjen pa SHBA, sipas The Economist

Një analizë e revistës “The Economist” sugjeron se vendet evropiane po përgatisin në mënyrë jozyrtare një plan alternativ për mbrojtjen e kontinentit, në rast se Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga roli i tyre brenda NATO-s.

Sipas raportit, disa kryeqytete evropiane janë duke diskutuar ide për një “NATO Evropiane”, ku shtetet e kontinentit do të merrnin më shumë përgjegjësi dhe kontroll mbi strukturat ushtarake që deri tani drejtohen nga SHBA.

Kjo lëvizje thuhet se është nxitur nga pasiguria për angazhimin amerikan në Evropë, përfshirë deklaratat dhe vendimet e fundit të presidentit Donald Trump, si dhe reduktimin e trupave amerikane në Gjermani.

Shtetet e Evropës Veriore dhe Lindore, përfshirë vendet baltike, nordike dhe Poloninë, po bashkëpunojnë më ngushtë në kuadër të nismave të përbashkëta të mbrojtjes, duke kërkuar të rrisin kapacitetet e tyre parandaluese ndaj kërcënimeve, sidomos nga Rusia.

Ndërkohë, edhe Gjermania ka ndryshuar qasje. Nën drejtimin e kancelarit Friedrich Merz, Berlini po mbështet më hapur idenë që Evropa të forcojë vetë mbrojtjen e saj, duke u larguar nga varësia e plotë ndaj SHBA-së.

Raporti gjithashtu përmend tensione të brendshme në NATO, ku Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte akuzohet se po minimizon rreziqet për të mos përshpejtuar përçarjet brenda aleancës. Sipas artikullit, diskutimet për një “Plan B” po zhvillohen në mënyrë joformale mes vendeve anëtare.

Analiza paralajmëron se, duke filluar nga viti 2027, SHBA mund të zvogëlojë ndjeshëm kontributin e saj ushtarak në Evropë, gjë që do ta bënte të domosdoshëm rishikimin e sistemit të sigurisë evropiane, pavarësisht kostove të larta.

Swissmedic përballet me deficit dhe kritika për projektet

Autoriteti zviceran për rregullimin e barnave, Swissmedic, është duke u përballur me vështirësi financiare dhe kritika lidhur me projektet e tij të digjitalizimit.

Institucioni ka investuar rreth 30 milionë franga zvicerane në sisteme IT gjatë viteve të fundit, por rezultatet kanë qenë më të ngadalta se sa ishte planifikuar. Për shkak të situatës financiare, së fundmi janë shkurtuar 29 vende pune me kohë të plotë.

Sindikata Transfair akuzon menaxhmentin për keqmenaxhim dhe shpenzim të madh në projekte IT, duke argumentuar se kjo ka ndikuar në përkeqësimin e situatës financiare dhe në shkurtime të stafit.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Swissmedic mohojnë lidhjen direkte mes projektit të digjitalizimit dhe largimeve nga puna, duke theksuar se masat janë pjesë e një plani për uljen e kostove dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të institucionit.

Ndërkohë, pritet që Zyra Federale e Auditimit të Zvicrës të zhvillojë një kontroll të detajuar mbi projektet e digjitalizimit të Swissmedic, ndërsa sindikata paralajmëron mundësi për shkurtime të tjera në të ardhmen.

Algjeria sfidon politikën e re të azilit në Zvicër

Algjeria mbetet një nga vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Zvicër, por shanset për marrjen e mbrojtjes janë shumë të ulëta. Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM), vetëm rreth 1.3% e kërkesave të shtetasve algjerianë pranohen, ndërsa pjesa dërrmuese refuzohet.

Nga janari deri në prill të vitit 2026, Algjeria figuron ndër vendet me numër të lartë aplikimesh, por me normë shumë të ulët të pranimit krahasuar me vende si Afganistani, Eritrea dhe Somalia. Autoritetet zvicerane theksojnë se shumica e personave të refuzuar duhet të kthehen në vendin e origjinës.

Zvicra ka forcuar procedurat e azilit për vendet e Magrebit (Algjeri, Marok, Tunizi), duke futur edhe procedura të shpejta 24-orëshe për vendime negative, me synim përshpejtimin e kthimeve.

Megjithatë, kthimi i personave në Algjeri mbetet sfidë. Bashkëpunimi mes dy vendeve konsiderohet i kufizuar dhe kthimet realizohen kryesisht me fluturime të rregullta, ndërsa fluturimet speciale pranohen rrallë, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, ndryshe nga Tunizia dhe Maroku ku kërkesat për azil janë në rënie, aplikimet nga Algjeria mbeten në nivel të lartë dhe të qëndrueshëm. Në vitin aktual, Algjeria renditet ndër tre vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Zvicër.

Studim: Tenisi, sporti për një jetë më të gjatë

Studime të shumta amerikane kanë treguar se tenisi është një nga sportet më të mira për të rritur jetëgjatësinë, veçanërisht tek të moshuarit. Përveç përfitimeve fizike, ky sport ofron edhe një lidhje të rëndësishme sociale.

Përmirësimi i funksioneve njohëse, forcimi i eshtrave, zhvillimi i ekuilibrit, shpejtësisë dhe reagimit janë vetëm disa nga përfitimet që sjell tenisi, pavarësisht moshës apo nivelit të lojtarit.

“Mendoj se është një sport i shkëlqyer. Së pari, sepse gjithmonë ke dikë përballë ose luan në ekipe me katër persona. Njerëzit ndajnë përvojën, përshtaten me nivelin e njëri-tjetrit dhe loja nuk duhet domosdoshmërisht të jetë konkurruese”, ka deklaruar Boris Gojanovic, mjek sportiv në Hôpital de la Tour në Gjenevë.

Sipas tij, tenisi aktivizon njëkohësisht balancën, forcën, kohën e reagimit, trurin përmes anticipimit, si dhe kondicionin fizik.

Trajnime të përshtatura për çdo moshë

Trajneri fizik Nicolas Danthez, i cili punon si me kampionë ashtu edhe me amatorë, zhvillon programe specifike stërvitore për të përmirësuar lojën e tenisit. Ushtrimet me top dhe lojërat e koordinimit ndihmojnë në zhvillimin e aftësive vizuale dhe njohëse.

“Përmes lojës mund të lidhim njerëzit mes vete. Ata ndajnë momente së bashku, ushtrojnë, argëtohen dhe krijojnë miqësi”, thekson ai, transmeton albinfo.ch.

Këto lidhje shpesh vazhdojnë edhe jashtë fushës së tenisit, duke krijuar një komunitet aktiv dhe social.