Kosova

Osmani: Diaspora më e angazhuar për Kosovën se për vendet ku jeton

Aktivisti politik nga diaspora, Osman Osmani, ka vlerësuar se interesimi i mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë është shumë i lartë dhe mund të ketë ndikim të dukshëm, por jo vendimtar në rezultatin final.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai tha se bashkatdhetarët po tregojnë më shumë angazhim për jetën politike dhe shoqërore në Kosovë sesa në vendet ku jetojnë.

Sipas tij, një pjesë e diasporës është e gatshme të marrë pjesë në votime, por shpesh mungon një përfshirje më e strukturuar nga partitë politike në Kosovë, si dhe oferta konkrete për profesionistët e mërgatës.

Osmani kritikoi gjithashtu diskursin politik gjatë aktiviteteve në diasporë, duke theksuar se shpesh mungojnë propozime të qarta për nevojat reale të qytetarëve jashtë vendit. Ai përmendi si shembull kërkesat praktike të mërgimtarëve, si përmirësimi i kushteve gjatë pritjeve të gjata në kufi, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit, për votim në zgjedhjet e 7 qershorit janë regjistruar 131 mijë e 901 qytetarë nga diaspora. Prej tyre, mbi 25 mijë pritet të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës më 6 qershor, ndërsa pjesa tjetër me postë.