Futboll

Botërori 2026 nën hijen e shqetësimeve për të drejtat e njeriut

Organizata “Human Rights Watch” ka paralajmëruar se Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, mund të sjellë probleme serioze për të drejtat e njeriut.
Drejtoresha e organizatës, Minky Worden, tha për portalin ntv.de se turneu duhet të organizohet duke respektuar një kornizë të qartë të të drejtave të njeriut.
Sipas saj, edhe pse ky mund të jetë Botërori më i madh në histori, nuk pritet të jetë më i miri në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Ajo shprehu shqetësim për rolin e mundshëm të agjencisë amerikane të emigracionit dhe doganave (ICE) në masat e sigurisë gjatë turneut. Worden e përshkroi këtë agjenci si problematike për shkak të politikave të saj ndaj emigrantëve.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ICE do të ketë rol konkret në sigurinë e ndeshjeve. Autoritetet në Miami kanë deklaruar se kanë marrë garanci nga zyrtarë amerikanë se agjentët e ICE nuk do të jenë të pranishëm brenda stadiumeve.
Worden gjithashtu kritikoi mungesën e masave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në qytetet pritëse, duke theksuar se vetëm Atlanta ka përfshirë në planet e saj çështje që lidhen me komunitetet LGBT.
Ajo kritikoi edhe vendimin e FIFA-s për t’i dhënë Çmimin e Paqes presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si një veprim të papërshtatshëm.