Federata e Futbollit e Kosovës është ndëshkuar financiarisht nga UEFA pas shqyrtimit të incidenteve të regjistruara gjatë përballjes ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në vendimin e publikuar nga organet disiplinore të UEFA-s, FFK-së i është shqiptuar një gjobë në vlerë të përgjithshme prej 42.250 eurosh, si dhe një masë disiplinore me kusht që parasheh mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” për një ndeshje të ardhshme si vendase.
Dënimet financiare janë ndarë në tri kategori. Për sjellje raciste ose diskriminuese, federata duhet të paguajë 10 mijë euro, ndërsa për fishkëllimat gjatë intonimit të himnit të Izraelit është shqiptuar një gjobë tjetër prej 10 mijë eurosh.
Një shumë prej 20 mijë eurosh i është shqiptuar FFK-së për transmetimin e një mesazhi të cilësuar nga UEFA si të papërshtatshëm për një ngjarje sportive. Ndërkaq, për hedhjen e objekteve në fushën e lojës, gjoba është 2.250 euro.
Për shkeljen që lidhet me sjelljet diskriminuese, UEFA ka paraparë edhe mbylljen e një sektori të stadiumit për një ndeshje, por kjo masë mbetet me kusht.
Përballja Kosovë–Izrael, e zhvilluar javën e kaluar në kuadër të Ligës së Kombeve, përfundoi pa gola (0:0). Ndeshja u shoqërua me reagime të tifozëve kosovarë gjatë intonimit të himnit izraelit, ndërsa vëmendje mori edhe qëndrimi i disa futbollistëve të Kosovës, të cilët mbajtën kokën të ulur gjatë ceremonisë para ndeshjes.
Ky është ndëshkimi i dytë që UEFA i shqipton Kosovës për shkelje disiplinore gjatë edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.