Përdorimi i inteligjencës artificiale si burim informacioni është trefishuar në dy vjet, duke u renditur tashmë ndër mjetet kryesore përmes të cilave të rinjtë në Zvicër marrin informacione.
Dy të tretat e të rinjve në Zvicër, të moshës 12 deri në 19 vjeç, përdorin rregullisht inteligjencën artificiale për t’u informuar. Kjo tregohet nga studimi më i fundit JAMES 2026, i realizuar nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Cyrihut (ZHAW), me porosi të kompanisë Swisscom.
Sipas studimit, përdorimi i inteligjencës artificiale për marrjen e informacionit është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2024, vetëm 22 për qind e të rinjve përdornin ChatGPT si burim informacioni, ndërsa në vitin 2026 kjo përqindje ka arritur në 66 për qind.
Sipas studiuesve të ZHAW-it, asnjë fushë tjetër e mediave nuk e ka ndryshuar kaq shpejt mënyrën e informimit dhe jetën e përditshme të të rinjve sa inteligjenca artificiale. Ajo tashmë renditet e treta ndër mjetet që përdorin për të marrë informacion, pas motorëve të kërkimit dhe aplikacioneve të komunikimit.
Drejtuesi i studimit, Gregor Waller, thekson se të rinjtë duhet të mësojnë jo vetëm si gjenerohen përgjigjet nga inteligjenca artificiale, por edhe rëndësinë e verifikimit të tyre përmes burimeve të pavarura.
Pabarazi në qasjen ndaj inteligjencës artificiale
Studimi evidenton gjithashtu një dallim të theksuar në përdorimin e avancuar të inteligjencës artificiale, varësisht nga gjendja ekonomike e familjeve.
Rreth 44 për qind e të rinjve nga familjet me të ardhura të larta kanë abonime me pagesë në platformat e inteligjencës artificiale, krahasuar me vetëm 23 për qind të atyre nga familjet me të ardhura të ulëta.
Autorët e studimit paralajmërojnë se kjo pabarazi mund të thellohet dhe u bëjnë thirrje politikëbërësve të ndërmarrin masa për ta zvogëluar atë.
Megjithatë, dallimet nuk vërehen në zotërimin e pajisjeve digjitale. Sipas studimit, 99 për qind e të rinjve kanë telefon celular.
Të rinjtë nuk e kalojnë gjithë kohën para ekraneve
Studimi JAMES 2026, në të cilin janë anketuar më shumë se 1.000 të rinj në të gjithë Zvicrën për mënyrën e konsumimit të mediave, trajton edhe kohën që ata kalojnë para telefonave të mençur.
Sipas rezultateve, të rinjtë kalojnë mesatarisht tri orë në ditë duke përdorur telefonat gjatë ditëve të javës, ndërsa gjatë fundjavës kjo kohë arrin në katër orë.
Pavarësisht përdorimit të shpeshtë të pajisjeve digjitale, ata vazhdojnë t’i kushtojnë kohë aktiviteteve sportive, qëndrimit me familjen dhe takimeve me shoqërinë.
Studimi JAMES realizohet nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Cyrihut dhe analizon rregullisht sjelljet, preferencat dhe zakonet mediatike të të rinjve në Zvicër.