Sektori kulturor në landin gjerman të Saksonisë-Anhaltit shpreh shqetësim për të ardhmen e institucioneve kulturore, pas fitores së partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet rajonale. Qeveria e re, e udhëhequr nga kjo parti, pritet të formohet në dhjetor.
AfD synon të kushtëzojë subvencionet publike me deklarata besnikërie ndaj vendit, si pjesë e politikës së saj të cilësuar si “patriotike”. Këto plane kanë nxitur reagime nga teatrot, muzetë dhe institucionet përkujtimore, të cilat frikësohen nga ndërhyrjet ideologjike dhe shkurtimet e financimit.
Drejtori i Teatrit Komunal në Magdeburg, Julien Chavaz, ka paralajmëruar se planet e partisë mund të rrezikojnë pavarësinë e institucioneve kulturore. Vetëm për teatrin që ai drejton, në rrezik janë rreth 14 milionë euro subvencione.
Programi i AfD-së parasheh gjithashtu ndryshime në mënyrën e trajtimit të historisë gjermane, përfshirë periudhën naziste, rishikimin e programeve shkollore dhe ndërprerjen e financimit të vizitave të nxënësve në memorialet historike.
Drejtues të institucioneve përkujtimore dhe përfaqësues të sektorit të librit paralajmërojnë se këto politika mund të dëmtojnë ruajtjen e kujtesës historike dhe financimin e kulturës, ndërsa shqetësimet mund të shtrihen edhe në rajone të tjera të Gjermanisë.
Ndërkohë, përfaqësues të sektorit kulturor po organizohen për të kundërshtuar ndryshimet e paralajmëruara.
Shqetësime të ngjashme janë shfaqur edhe në Spanjë, ku artistët druajnë nga ndikimi i mundshëm i partisë së djathtë ekstreme Vox në politikat kulturore dhe financimin publik të filmave, dokumentarëve dhe aktiviteteve artistike.