Skip to content

Zvicër: 20 mijë lëndime në ski çdo vit

(KEYSTONE/Jean-Christophe Bott)

Çdo vit, mbi 20 mijë persona pësojnë lëndime në gjunjë gjatë skijimit në pistat zvicerane

Numri i aksidenteve gjatë skijimit ka rikthyer në vëmendje sigurinë e mekanizmave që lidhin çizmet me skitë. Në Zvicër po diskutohet modernizimi i kësaj teknologjie, me synim reduktimin e lëndimeve gjatë sporteve dimërore.

Çdo vit, mbi 20 mijë persona pësojnë lëndime në gjunjë gjatë skijimit në pistat zvicerane. Këto përbëjnë rreth 40 për qind të të gjitha lëndimeve gjatë skijimit, ndërsa ndër më të shpeshtat janë dëmtimet e ligamenteve të kryqëzuara, shkruan Watson.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas Byrosë Zvicerane për Parandalimin e Aksidenteve (BFU), kostot e trajtimeve mjekësore dhe humbjeve të të ardhurave për shkak të këtyre lëndimeve tejkalojnë 100 milionë franga në vit.

Problemi kryesor qëndron te mekanizmat e fiksimit të skive, të cilët funksionojnë sipas të njëjtit parim prej 35 vjetësh. Megjithëse ofrojnë mbrojtje efektive ndaj frakturave të pjesës së poshtme të këmbës, ata nuk i mbrojnë mjaftueshëm ligamentet e gjurit.

BFU kërkon zhvillimin e mekanizmave inteligjentë, të aftë për të identifikuar lëvizjet e rrezikshme dhe për të shkëputur skitë nga çizmet në momentin e duhur.

Megjithatë, teknologjia e re ndodhet ende në fazat fillestare të zhvillimit. Institucioni zviceran po bashkëpunon me përfaqësues të industrisë, studiues dhe partnerë ndërkombëtarë nga Austria dhe Gjermania.

Sipas BFU-së, mbi 90 për qind e aksidenteve gjatë skijimit ndodhin pa përfshirjen e personave të tjerë. Për këtë arsye, sjellja e kujdesshme në pista mbetet vendimtare, pavarësisht përparimeve teknologjike.

Ekspertët rekomandojnë që skiatorët të kontrollojnë pajisjet në dyqane të specializuara përpara çdo sezoni dhe të përshtatin shpejtësinë me aftësitë e tyre dhe kushtet në pista.