Vështirësitë në transportin lumor dhe hekurudhor, si dhe problemet në rafineritë evropiane, kanë detyruar autoritetet zvicerane të ndërmarrin masa për garantimin e furnizimit me karburante.
Zvicra ka filluar të shfrytëzojë rezervat e saj strategjike të naftës (dizelit) dhe vajgurit, për të parandaluar mungesën e karburanteve për automjetet dhe avionët.
Gjatë javëve të fundit, autoritetet federale kanë autorizuar nxjerrjen e miliona litrave të karburanteve nga rezervat e detyrueshme të vendit. Megjithëse bëhet fjalë për një masë të jashtëzakonshme, ajo nuk është e paprecedentë, shkruan Swissinfo, përcjell albinfo.ch.
Ndryshe nga çfarë mund të mendohet, arsyet kryesore të këtij vendimi nuk lidhen drejtpërdrejt me konfliktet gjeopolitike apo luftën në Lindjen e Mesme.
Problemet kanë të bëjnë kryesisht me kufizimet e transportit në lumin Rin, mbingarkesën e rrjetit hekurudhor dhe vështirësitë e furnizimit nga rafineritë në Gjermani dhe në jug të Francës.
Zvicra nuk disponon burime të veta të naftës apo gazit natyror, prandaj është plotësisht e varur nga importi i lëndëve djegëse fosile. Rreth një e treta e nevojave të vendit importohet në formën e naftës së papërpunuar, e cila përpunohet në rafinerinë e vetme zvicerane në Cressier, në kantonin Neuchâtel.
Që nga viti 1932, Konfederata zvicerane i detyron kompanitë importuese të mbajnë rezerva të përhershme të benzinës, dizelit, vajgurit dhe naftës për ngrohje.
Autoritetet kanë autorizuar përdorimin e gjithsej 80 milionë litrave dizel, që përfaqësojnë 6.5 për qind të rezervave të detyrueshme.
Ndërkohë, për furnizimin me karburant të avionëve janë vënë në dispozicion gjithsej 80 milionë litra vajgur, ose 17.4 për qind e rezervave përkatëse. Aeroportet e Cyrihut dhe Gjenevës janë ndër përfituesit e këtyre masave.
Furnizimi me benzinë dhe naftë për ngrohje mbetet i garantuar, megjithëse situata vazhdon të jetë e tensionuar.
Masat e ndërmarra nënvizojnë rëndësinë e rezervave strategjike për sigurinë energjetike të Zvicrës, veçanërisht në periudha kur zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit përballen me vështirësi.