Skip to content

Kafja në Zvicër po shtrenjtohet, një filxhan kushton mesatarisht deri në 5.46 franga

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Rritja e kostove operative, pagave, energjisë dhe qirave po ndikon në çmimin e kafesë në restorantet dhe lokalet zvicerane. Megjithatë, dallimet e çmimeve mes rajoneve mbeten të konsiderueshme.

Pirja e kafesë në lokale në Zvicër po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Në pjesën gjermanofolëse të vendit, një filxhan café crème kushton mesatarisht 4.71 franga zvicerane, ndërsa një kapuçino 5.46 franga.

Sipas të dhënave të publikuara nga shoqata CafetierSuisse për vitin 2026, krahasuar me vitin e kaluar, çmimi i café crème është rritur për 1.3 për qind, ndërsa ai i kapuçinos për 1.7 për qind.

Megjithatë, kjo rritje nuk është reflektuar në të gjitha lokalet. Vetëm 27 për qind e restoranteve dhe kafeneve i kanë rritur çmimet e café crème që nga viti i kaluar, kryesisht me 20 centima. Ndërkohë, 68 për qind i kanë mbajtur çmimet e pandryshuara, ndërsa pesë për qind i kanë ulur ato.

Dallime të çmimeve sipas rajoneve

Çmimet ndryshojnë edhe varësisht nga kantoni. Në Zvicrën gjermanofolëse, kafeja është mesatarisht më e shtrenjtë në kantonet Zug dhe Zürich, ndërsa çmimet më të ulëta regjistrohen në Uri, Thurgau dhe Schwyz. Diferenca mes kantonit më të shtrenjtë dhe atij më të lirë është mesatarisht 43 centima.

Në Zvicrën frankofone, çmimet e café crème janë dukshëm më të ulëta. Në kantonin Neuchâtel, një filxhan kushton mesatarisht 3.78 franga, ndërsa në Fribourg 4.33 franga. Në Gjenevë dhe Vaud, çmimi sillet rreth katër frangave.

Ndërkaq, në kantonin Ticino, ku preferohet më shumë ekspresi, një filxhan kushton mesatarisht 2.55 franga.

Sipas CafetierSuisse, çmimet më të ulëta në pjesën frankofone dhe në Ticino lidhen me traditat e kulturës së kafesë franceze dhe italiane. Në Ticino, për më tepër, ekspresi ka kosto më të ulët për lokalet, pasi shumica e klientëve e konsumojnë me pak sheqer ose pa të.

Kostot operative, arsyeja kryesore e shtrenjtimit

Sipas CafetierSuisse, rritja e çmimeve të kafesë në lokale lidhet kryesisht me shtrenjtimin e kostove të operimit të bizneseve, përfshirë pagat, energjinë dhe qiratë.

Edhe pse kokrrat e kafesë janë më të shtrenjta krahasuar me mesataren afatgjatë, ndikimi i tyre në çmimin përfundimtar të një filxhani në restorante është më i vogël sesa ai i kostove të tjera operative.

Në një filxhan café crème që shitet për 4.50 franga, sipas përllogaritjeve të shoqatës, fitimi bruto mesatar është 2.80 franga. Nga kjo shumë, 1.80 franga shkojnë për kostot e punës, ndërsa pjesa tjetër duhet të mbulojë shpenzimet e qirasë, energjisë dhe administratës.

Ndryshimet klimatike dhe konfliktet ndikojnë edhe në çmimin e kafesë së papërpunuar

Çmimi i kafesë së papërpunuar vazhdon të jetë dukshëm më i lartë se mesatarja afatgjatë. Edhe pse Brazili ka shënuar këtë vit të korrat më të mëdha të kafesë në historinë e tij, kushtet e pafavorshme atmosferike kanë ndikuar në cilësinë e prodhimit.

Ndërkohë, Zvicra importon sasi të konsiderueshme të kafesë së cilësisë së lartë nga Kolumbia, Meksika dhe vendet e Amerikës Qendrore, ku prodhimi është në rënie.

Në këtë situatë ndikojnë edhe kostot më të larta të transportit, të lidhura ndër të tjera me çmimet e energjisë dhe nivelin e ulët të ujit në lumin Rajna, i cili vështirëson transportin e mallrave.

Konkurrenca në sektorin e kafeneve po rritet

Numri i bizneseve të gastronomisë në Zvicër është në rritje, por kjo prirje është më e theksuar në qytete. Sipas CafetierSuisse, në zonat rurale numri i lokaleve ka tendencë të bjerë.

Në qytete po hapen vazhdimisht kafene të reja, ndërsa bizneset ekzistuese po zgjerojnë aktivitetin përmes hapjes së filialeve të reja. Për më tepër, shërbimi i kafesë po përhapet edhe në biznese që nuk i përkasin sektorit të gastronomisë. Sot, kafe ofrojnë shumica e salloneve të flokëve e madje edhe disa ordinanca mjekësore.

Kjo po e shton konkurrencën në tregun zviceran të kafesë, duke krijuar sfida të reja për restorantet dhe kafetë tradicionale/albinfo.ch/