Thatësira dhe temperaturat e larta gjatë verës së vitit 2026 kanë shkaktuar rënie prej 30 për qind të të korrave të panxharit të sheqerit në Zvicër, krahasuar me mesataren. Për pasojë, ka rënë ndjeshëm edhe prodhimi vendor i sheqerit, ndërsa rritja e importeve shihet si e pashmangshme.
Sipas Federatës Zvicerane të Kultivuesve të Panxharit, mungesa e ujit ka ndikuar në madhësinë dhe cilësinë e prodhimit, ndërsa përhapja e dëmtuesve e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Disa fermerë kanë humbur tërësisht të korrat, ndërsa humbjet ekonomike për sektorin pritet të jenë të konsiderueshme.
Edhe fabrikat e përpunimit po përballen me vështirësi, pasi cilësia më e ulët e panxharit e vështirëson nxjerrjen e sheqerit.
Përfaqësuesit e industrisë kërkojnë që ulja e konsumit të sheqerit, e mbështetur nga autoritetet zvicerane, të mos dëmtojë prodhimin vendor, por të ndikojë në uljen e importeve. Ata theksojnë rëndësinë e përdorimit të sheqerit zviceran për të mbështetur fermerët dhe gjithë zinxhirin e prodhimit.
Sipas rregullave zvicerane për origjinën e produkteve, që një produkt ushqimor të cilësohet “Swiss Made”, në rastin e sheqerit mjafton që të paktën 40 për qind e sasisë së përdorur të jetë prodhuar në Zvicër.