Skip to content

Festivali “Imazhi Shqiptar” për herë të parë në Zvicër

Foto Gent Mersinaj

Edicioni i 24-t i festivalit u mbajt në Zyrih më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit Shqip. Organizatorët vlerësuan 10 personalitete dhe Shoqatën Kulturore Shqiptare “Bashkimi” të Usterit me çmimin “Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë”.

Festivali Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar” mbajti për herë të parë një edicion në Zvicër.

Mbrëmja e 22 nëntorit në Cyrih shënoi edhe 31-vjetorin e Forumit “Imazh & Media” dhe solli në të njëjtën skenë studime për gjuhën e historinë shqiptare, pamje nga raportimet e luftës në Kosovë dhe valle të interpretuara nga grupi i shoqatës “Bashkimi” të Usterit.

Festivali u zhvillua me nismën e Adnan Imerit, në bashkëpunim mes Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në Zvicër, Shoqatës Kulturore Shqiptare “Bashkimi” dhe Fondacionit “Forumi Imazh & Media”.

Sipas organizatorëve, edicioni në Cyrih pasoi një turne që përfshiu Vjenën dhe qytete në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Nga Dita e Alfabetit te pamjet e luftës në Kosovë

Programi nisi me himnin kombëtar dhe me fjalën përshëndetëse të Astrit Memisë, kryetar i Forumit “Imazh & Media”. Bardhyl Mahmuti foli për librin “Die Shqiptaren”, ndërsa Ibish Kadriu përshëndeti në emër të Universitetit të Tetovës.

Në hapje foli edhe Adnan Imeri, kryetar i Fondit Humanitar dhe nismëtar i organizimit në Zvicër.

Në Cyrih u shfaqën për herë të parë dokumentari “Imazhi Shqiptar në vite” dhe reportazhet e përmbledhura nën titullin “Lufta e Kosovës në masmedian perëndimore”, me bashkautor Astrit Meminë.

Materiali përfshin raportime nga fronti gjatë luftës së viteve 1998–1999. Sipas organizatorëve, gjatë vitit 2027 parashikohen shfaqje në trevat shqiptare dhe në mërgatë.

Kush u nderua në Cyrih

Nga hapja e shkollave shqipe në kantonin Aargau te promovimi i turizmit malor në Shqipëri, motivacionet e çmimeve pasqyruan kontribute në arsim, kulturë, studime, sipërmarrje dhe veprimtari humanitare. Sipas organizatorëve, u nderuan:

Adnan Asllani, për veprimtarinë në mbështetje të lirisë së Kosovës dhe për krijimin e emblemës së UÇK-së dhe të simbolit të Lulëkuqes me Katër Petale. 

Serge Métais, për studimet mbi historinë shqiptare dhe për veprën “Historia e shqiptarëve: Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës”.

Qenan Hamdiu, për angazhimin në mërgatën shqiptare të Zvicrës, përfshirë hapjen dhe mbështetjen e shkollave shqipe në kantonin Aargau.

Barbara Munz, për promovimin e Shqipërisë në Zvicër, zhvillimin e turizmit malor dhe mbështetjen e komuniteteve lokale.

Shiqeri Emrllahu, për mbështetjen e Kosovës gjatë viteve ’90 dhe për kontributin e mëvonshëm në arsim, shëndetësi dhe sipërmarrje.

 

Drita Zumberi, për studimet albanologjike, veçanërisht për hulumtimin e së folmes së Preshevës, si dhe për veprimtarinë në media, diplomaci dhe përkthim.

Avdi Osmani, për ndihmën ndaj familjeve në nevojë dhe angazhimin shumëvjeçar në LAPSH për mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër.

 

Lulzim Maliqi, për veprimtarinë humanitare, mbështetjen e të rinjve dhe themelimin e klubit FC Kosova në Mynih.

Saime Isufi, për më shumë se pesë dekada veprimtari në çështjen kombëtare. Në motivacionin e çmimit ajo përmendet si bashkëveprimtare e Kadri Zekës, Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.

Shoqata Kulturore Shqiptare “Bashkimi” e Usterit, për më shumë se tri dekada punë në ruajtjen e gjuhës, folklorit dhe traditave shqiptare dhe në përcjelljen e tyre te brezat e rinj.

Në përmbyllje të festivalit u ndanë edhe mirënjohje për bashkëpunëtorët. Organizatorët synojnë që edicionet e ardhshme të zhvillohen në qendra të tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Albinfo.ch po përgatit një videoreportazh nga festivali.