Skip to content

Friburgu, ndër kantonet me rritjen më të shpejtë të popullsisë në Zvicër

@pixabay

Kantoni i Friburgut po shënon një nga normat më të larta të rritjes së popullsisë në Zvicër. Gjatë pesë vjetëve të fundit, në këtë kanton janë vendosur mbi 25 mijë banorë, kryesisht nga kantonet fqinje.

Sipas transmetuesit publik zviceran RTS, ndër arsyet kryesore të këtij trendi janë çmimet më të përballueshme të banimit, qiratë më të ulëta, pozita e favorshme gjeografike dhe cilësia e jetesës.

Shumë banorë zgjedhin Friburgun për të jetuar, ndërsa punojnë në qendrat e mëdha ekonomike të Gjenevës dhe Bernës. Çdo vit, rreth 1.500 persona nga kantonet e tjera vendosen në Friburg, veçanërisht nga Vaud, Berna dhe Neuchâtel.

Megjithatë, rritja e popullsisë po shton presionin mbi shkollat, çerdhet, spitalet dhe transportin publik. Sfidë mbetet edhe mungesa e vendeve të mjaftueshme të punës, pasi gati një e katërta e popullsisë së punësuar udhëton drejt kantoneve të tjera për të punuar.

Autoritetet përballen kështu me sfidën e menaxhimit të rritjes së popullsisë dhe ruajtjes së kushteve që e bëjnë Friburgun një nga kantonet më tërheqëse për banim në Zvicër.