Kosova

Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare

Kandidatja e LDK-së për presidente do të udhëtojë së bashku me Lumir Abdixhikun për një bashkëbisedim me diasporën shqiptare

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka njoftuar se këtë të diel do të qëndrojë në Zurich, ku do të zhvillojë një takim me mërgatën shqiptare në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të saj, takimi do të nisë nga ora 14:00 dhe do të shërbejë si një bashkëbisedim me bashkatdhetarët rreth së ardhmes së Kosovës dhe rolit të diasporës.

“Të dashur motra e vëllezër në Zvicër. Ka disa rrugë që nuk maten me kilometra, janë rrugët e mallit, sakrificës dhe dashurisë për vendin”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka vlerësuar kontributin e diasporës shqiptare ndër vite, duke theksuar se mërgata e ka mbajtur gjallë lidhjen me Kosovën përmes punës, sakrificës dhe mbështetjes së vazhdueshme për familjet dhe vendin.

“Për vite me radhë ju nuk e keni harruar Kosovën asnjë ditë. E keni mbajtur gjallë me punën tuaj, me djersën tuaj, me kujdesin për familjet dhe me besimin se një ditë vendi ynë do të bëhet ashtu siç e kemi ëndërruar të gjithë”, u shpreh ajo.

Në këtë vizitë, Osmani do të shoqërohet edhe nga kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

“Ejani dhe bashkohuni, të flasim për Kosovën që duam t’ua lëmë pas fëmijëve tanë”, thuhet në thirrjen drejtuar mërgatës shqiptare në Zvicër.