Skip to content

Shqyrtohen masa për të shkurtuar pritjet në kontrollet e aeroporteve

Autoritetet zvicerane po diskutojnë regjistrimin paraprak vullnetar për disa udhëtarë nga vendet jashtë BE-së, për të përshpejtuar hyrjen përmes portave elektronike.

Autoritetet zvicerane dhe përfaqësuesit e sektorit të aviacionit kanë diskutuar mundësitë për shkurtimin e kohës së kontrolleve kufitare në aeroporte, pas vonesave që shfaqen gjatë zbatimit të sistemit evropian të hyrje-daljeve EES, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë, takimi u mbajt më 13 nëntor, me pjesëmarrjen e këshilltarit federal Beat Jans, autoriteteve kufitare, kompanive ajrore dhe aeroporteve.

Një nga mundësitë e diskutuara është krijimi i një programi që do t’u lejonte disa udhëtarëve nga vendet e treta të kryenin vullnetarisht një regjistrim dhe verifikim paraprak.

Kjo mundëson që kontrollet e mëvonshme të zhvillohen kryesisht përmes portave elektronike, pa pasur nevojë për përsëritjen e intervistimit në kufi.

Masa mbetet në fazën e diskutimit. Njoftimi nuk përcakton datë zbatimi dhe as cilët udhëtarë do të mund të përfitonin nga programi./Albinfo.ch