Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit, përcjell albinfo.ch.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Rama ndau disa fotografi historike nga periudha e përfundimit të luftës në Kosovë, të cilat pasqyrojnë momentet kur mori fund represioni i forcave të ish-Jugosllavisë dhe vendi nisi rrugëtimin drejt lirisë.
“Gëzuar 27-vjetorin – Ditën e Çlirimit”, shkroi ai në mesazhin e tij urues.
Më 12 qershor, Kosova shënon një nga datat më të rëndësishme në historinë e saj moderne. Kjo ditë përkujton hyrjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare dhe fundin e një periudhe të rëndë konflikti, duke hapur një kapitull të ri për qytetarët e vendit.
Për shumë kosovarë, 12 Qershori nuk është vetëm një datë kalendarike, por simbol i lirisë, paqes dhe sakrificës së bërë për çlirimin e vendit. Kjo ditë konsiderohet si pikë kthese historike që ndryshoi rrjedhën e zhvillimeve në Kosovë dhe hodhi themelet e ndërtimit të institucioneve shtetërore.
Në të gjithë Kosovën, 27-vjetori i Ditës së Çlirimit po shënohet me aktivitete përkujtimore dhe homazhe në nderim të të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit./Albinfo.ch