Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar se ky shtet mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.
Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në zhvillimin e vendit, procesin e shtetndërtimit dhe rrugëtimin evropian të Kosovës.
Presidentja gjithashtu theksoi rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër, e cila vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve.
Në takim u vlerësua edhe kontributi i Forcave të Armatosura Zvicerane përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it në kuadër të NATO-s që nga viti 1999, në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Në fund, presidentja Shiroka Pula theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës do të vazhdojë të thellohet, ndërsa Zvicra do të mbetet partnere dhe përkrahëse e Kosovës.