Skip to content

Qindra shkolla evakuohen në Itali, Britani dhe Irlandë pas kërcënimeve me bomba

Qindra shkolla në Itali janë evakuuar të mërkurën pas kërcënimeve me bomba, të cilat autoritetet i kanë cilësuar si të rreme. Alarme të ngjashme janë raportuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

Sipas mediave italiane, rreth 6.300 institucione arsimore publike kanë marrë mesazhe kërcënuese. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se kontrollet e forcave të rendit nuk kanë zbuluar asnjë mjet shpërthyes dhe se deri më tani nuk ka prova për ndonjë rrezik konkret.

Mesazhet kërcënuese, të dërguara përmes emailit, përmbanin pretendime për vendosjen e eksplozivëve në shkolla dhe madje edhe në automjetin e kryeministres Meloni.

Në Irlandën e Veriut, policia po heton email-et kërcënuese të dërguara në më shumë se 300 shkolla, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar edhe në Skoci dhe Republikën e Irlandës. Autoritetet irlandeze i kanë vlerësuar këto kërcënime si jo të besueshme.

Ngjarjet vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara lidhur me sigurinë kibernetike dhe alarmet e rreme për bomba në Evropë. Ndërkohë, Irlanda ka shtuar masat e sigurisë në Dublin, ku këtë javë po mbahen dy takime të rëndësishme evropiane, me pjesëmarrjen e dhjetëra liderëve, përfshirë samitin e Komunitetit Politik Evropian dhe takimin joformal të liderëve të Bashkimit Evropian.